'Rama jepe dorëheqjen!' Marshimi protestë nuk ndalet - sot dita e 23-të

Ora 22:30 marshimi protestues vijon. Këtë herë turma me mijëra protestues marshoi pas presidencës për tek liqeni dhe për tu kthyer sërish para kryeministrisë. Tirana oshëtiu edhe sot ‘Rama jepe dorëheqjen’

Kjo është dita e 23-të e protestës ku grupi koordinues i protestës ka bërë publike 5 kërkesat e tyre, me kushtin e panegociueshëm dorëheqjen e kryeminsitrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike jo partiake.

Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor; 
• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme; 
• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi. 
4. Paralelisht, kërkojmë:
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”; 
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”; 
• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; 
• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”. 
5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.