VIDEO/ Buzhala: Protesta ka energji, por i mungon organizimi politik. Rama nuk ikën
Gazetari Berat Buzhala, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar protestat qytetare që po zhvillohen prej më shumë se 3 javësh në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi ecurinë, strukturimin dhe të ardhmen e tyre politike.
Sipas Buzhalës, kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës nuk është një zhvillim i ri, por një kërkesë që, siç tha ai, ka ekzistuar prej vitesh. Gazetari theksoi se, pavarësisht energjisë dhe pjesëmarrjes në protestë, mungon një koncept i qartë politik që ta strukturojë lëvizjen.
Sipas tij, protesta përbëhet nga fraksione të ndryshme që, në vend se të unifikohen, shpesh ruajnë njëra-tjetrën, duke mos krijuar një drejtim të vetëm politik.
Buzhala tha se, sipas tij, protesta ka arritur një pikë të lartë mobilizimi, por tani përballet me sfidën e riorganizimit dhe përcaktimit të qartë të objektivave.
Buzhala vlerësoi se sfida kryesore e protestës aktuale është kalimi nga mobilizimi masiv në një strukturë të qartë politike që mund të prodhojë rezultat konkret ndaj qeverisë së Edi Ramës.
‘Po kërkesa për dorëheqjen e Ramës ekziston që 13 vite, apo? Pra kërkesa nuk është e re.
Kërkesa është e grupit.
Pra, kur e kthej kryet mbrapa dhe them ok, në të kaluarën, në kontinentin evropian ose kudo, se unë vetëm po më intereson sociologjikisht qysh rikapiullohet kjo gjëja.
Sepse njerëz ka, energji ka, s'ka pasur kurrë më shumë, ka rryma të ndryshme, fraksione të ndryshme, që nuk është ndonjë problem i madh.
At Zef Pllumbi e ka një fragment shumë interesant. Thotë, ‘pashai në Shkodër e kishte pas çuar një elefant nëpër Shkodër, edhe tha, u mblodhën shkodranët me shku me i thënë pashës a po na e heq këtë elefantin se po na bën dëm nëpër Shkodër.
U mblodhën nja 20 shkodranë edhe po ngjiten kalasë përpjetë me shku me i thënë pashës. Rrugës, ikën, filluan me u frikësu, me shku te pasha... ik njëri, ik njëri, mbeti vetëm një shkodran i vetëm. Kur shkoi atje, tha pasha çka ke ardhë?
Tha atë elefantin që na e ke pru, që e ke qit për Shkodrën, tha, a ka mundësi me na i pru edhe nja dy se u kënaqëm me të. Se janë frikësuar’.
Kush ka me qenë ai shkodrani që ka me shku te Edi Rama e me i thënë: Unë jam këtu.
Prej rrugës kjo është një betejë, e kemi parë në Serbi po vazhdon. Sepse unë vetëm skepticizmin e kam, pra, po e them si mënyrë e organizimit, këta më shumë po e ruajnë njëri-tjetrin në protestë, janë 4-5 fraksione, sesa që kanë ndonjë koncept të qartë.
Pra, e ka tejkaluar, sipas meje, atë pikën e vlimit.
Le të themi të shtunën, protestë masive, më e madhja, jo në Shqipëri, në Ballkan. S'ka pasur protesta më të mëdha. Po tash pas asaj çka? Pra, kjo është çështja. Unë e kam vetëm një çështje, domethënë, qysh i lidhet koka kësaj gjëje?
Se Edi Rama nuk jep dorëheqje. Tash, çka ndodh po u ba e dhunshme? Sepse edhe kjo nënkuptohet. Domethënë kur thotë dikush a përdoret dhuna? Po dhuna edhe përdoret.
Dhuna është mjeti i fundit që e përdor dikush kur ai, pala tjetër nuk merr vesh. Tash, po u përdor dhuna domethënë, po ja mësynë institucioneve, dhe me dhunë me e nxjerrë Ramën prej aty, sa veta do të jenë në shesh aty?
Për mua vazhdon me qenë e gjithë gjëja, në javën e fundit, në ditët e fundit, më shumë frikë e protestës prej kristalizimit, prej dhënies trup, pra krijimit të diçkaje, sesa insistimit të tyre me ndejt në rrugë.’, është shprehur Berat Buzhala në SYRI TV.