Protesta e 23/ Nis marshimi-protestë, qytetarët kërkojnë largimin e Edi Ramës
Qindra mijëra protestues nisën marshimin, pas fjalimeve që mbajtën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në ditën e 23 të protestës masive.
Shqiptarët vazhdojnë revoltën e tyre kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa prej më se tre javësh artikulojnë dorëheqjen e tij.
Diaspora i është bashkuar kësaj protestë, dhe shprehet se do të qëndrojnë të vendosur në kërkesat e tyre.
Më herët organizatorët e protestës kanë artikuluar 5 kërkesat e tyre drejtuar qeverisë, me ultimatumin për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Grupi Koordinues i Protestës
Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, kërkojmë:
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.