VIDEO/ Spahia akuza Ramës: Propagandë e neveritshme kundër diasporës, po përpiqen të përçajnë emigrantët

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar ndaj videos së shpërndarë në rrjetet sociale dhe të promovuar nga Edi Rama, duke e cilësuar atë si një fyerje për emigrantët shqiptarë dhe një përpjekje të ulët propagandistike të një qeverie në panik.

Përmes një reagimi publik, Spahia deklaroi se videoja përbën një ofendim për çdo shqiptar që punon dhe sakrifikon në emigracion për të mbajtur familjen në Shqipëri.

‘Sot është e trishtë dhe e neveritshme të shohësh se si një pushtet i korruptuar, i kapur nga paniku i protestave masive, përpiqet të përdorë njerëzit për propagandë’, shkruan deputeti demokrat në rrjetet sociale.

Sipas tij, strategjia e qeverisë synon të mbjellë përçarje mes vetë emigrantëve, ndërsa skandali bëhet edhe më i madh kur, sipas Spahisë, materiali shpërndahet dhe promovohet nga vetë kryeministri përmes ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive.

Reagimi i deputetit të PD-së, Bardh Spahia:

Kjo video është një fyerje për çdo shqiptar të ndershëm që derdh djersën në emigrim për të mbajtur gjallë familjet e tyre në Shqipëri!

​Është e trishtë dhe e neveritshme të shohësh se si një pushtet i korruptuar, i kapur nga paniku i protestave masive, përpiqet të përdorë njerëzit për propagandë. Për më tepër, kjo strategji e ulët kërkon qëllimisht të mbjellë përçarje dhe të provokojë përplasje mes vetë emigrantëve.

​Por ajo që e bën këtë situatë edhe më skandaloze dhe të pafalshme, është fakti që kjo video bajate shpërndahet e promovohet pa pikë turpi nga vetë Kryeministri në ikje, për shpërndarje nga ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive!

Në vend që të japin llogari për zbrazjen e vendit, këta hajdutë të panikosur bëjnë regjisorin e këtij teatri të mjerë për të mbajtur karriget e tyre.

​Diaspora e vërtetë nuk i bën fresk qeverisë që e detyroi të braktisë shtëpitë dhe nuk lë as prindërit e familjarët e tyre në mëshirë të hajdutëve në pushtet.

Diaspora e vërtetë po ngre zërin dhe po mbush sheshet në Shqipëri dhe nëpër botë duke i dalë zot kombit në ditët më të errëta të tij.

​Nuk ka kohë për fasada apo për t'u përçarë nga lojërat e tyre. Tani është koha të bashkohemi më shumë se kurrë! Dilni, protestoni dhe ngrini zërin për një Shqipëri që u takon njerëzve të saj me dinjitet dhe jo një grushti pushtetarësh!