Messi shkruan historinë e Botërorit, kalon Klosen dhe bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave

Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror. Ylli i Argjentinës u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Botës, pasi arriti në kuotën e 18 golave, duke lënë pas legjendën gjermane Miroslav Klose, i cili kishte ndalur numëruesin në 16 realizime.

Kapiteni i Argjentinës gjeti rrugën e rrjetës në fitoren 2-0 ndaj Austrisë. Pas një penalltie të humbur në fillim të takimit, Messi reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar golin e avantazhit në minutën e 38-të. Ky ishte goli i tij i 17-të në historinë e Botërorëve, që i dha vendin e parë absolut në renditjen e golashënuesve.

Megjithatë, ai nuk u ndal me kaq. Në minutat shtesë të ndeshjes, Messi shënoi edhe golin e dytë të Argjentinës, duke vulosur fitoren dhe duke e çuar rekordin personal në 18 gola.

“Pleshti” po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm edhe në edicionin 2026. Pas ‘tripletës’ së realizuar ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse dhe ‘dopietës’ kundër Austrisë, ai ka shënuar tashmë pesë gola në turne.

Një tjetër rekord i rëndësishëm është fakti se Messi ka shënuar të paktën një gol në pesë edicione të ndryshme të Kupës së Botës, një arritje që e ka regjistruar edhe Cristiano Ronaldo.

Historia e golave të Messit në Botëror nisi në vitin 2006, kur në moshën 18-vjeçare shënoi në debutimin e tij kundër Serbisë dhe Malit të Zi pas një asistimi nga Carlos Tevez. Në Botërorin e vitit 2014 realizoi katër gola, në Rusi 2018 shënoi një herë, ndërsa në Katar 2022 gjeti rrjetën shtatë herë, përfshirë dy gola në finalen historike.

Në total, Messi ka regjistruar 122 gola në 201 paraqitje me fanellën e Argjentinës, duke vazhduar të forcojë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.