Protesta qytetare/ Tepelena: Edi Rama nuk ka Macron që mund të të shpëtojë, as ambasada

Në ditën e 23-të të protestës qytetare, gazetari Andi Tepelena lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës, duke deklaruar se vendimi për fatin e qeverisë nuk do të merret nga ndërkombëtarët, por nga qytetarët shqiptarë.

Mes thirrjeve të protestuesve ‘Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve’, Tepelena u shpreh se kërkesa e protestës është e panegociueshme.

Gazetari paralajmëroi se kryeministri nuk duhet të mbështetet tek mbështetja ndërkombëtare.

Në fjalën e tij ai falënderoi edhe mediat dhe gazetarët që po ndjekin protestën, duke i cilësuar tashmë si aleatë të lëvizjes qytetare në rrugëtimin e saj.

Turma: Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve! Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve!

Andi Tepelana: Edi Rama, dëgjove, kemi një kërkesë për ty. E dëgjove besoj. Të panegociueshme. Do tërhiqesh, nuk ka negociata me ty, nuk ka bisedime!

E bëre gabim me studentët. Nuk përsëritet më! Dëgjove?! Ti mund të shpresosh nga Macron, nga presidenti i Francës, që mund të të shpëtojë. Harroje!

Harroje se do të shpëtojë Macron, se do të shpëtojë ambasada, se do të shpëtojnë ndërkombëtarët. Këtu vendos populli shqiptar! Nëse ti do të rrish, apo do të ikësh. Ky është vendim dhe vullnet i popullit shqiptar, jo i ndërkombëtarëve!

Përpara se të jap fjalën, dua të falënderoj edhe njëherë mediat që na ndjekin orë, hap pas hapi, e di, në këtë rrugëtim të gjatë.

Por ne tashmë ju konsiderojmë aleatë. Ju kemi bojkotuar ditët e para, pasi na bojkotuat. Pasi mediat ndërkombëtare folën për këtë protestë se çfarë po ndodh, shumë prej jush bëtë një sy qorr dhe një vesh shurdh.

Por ama tani jeni me ne, jeni aleatët tanë dhe dua t'ju falënderoj të gjithë gazetarëve, kameramanëve që qëndrojnë e sakrifikojnë me ne.