VIDEO/ Pak minuta nxjerrin problemet e aksit Kardhiq-Delvinë, rrëshqitje dherash në rrugë
Mjaftuan vetëm pak minuta reshje shiu për të nxjerrë në pah problematikat e shumta të aksit Kardhiq-Delvinë, një nga investimet rrugore që është promovuar ndër vite si një vepër strategjike për jugun e vendit.
Siç shihet edhe në pamje, në disa segmente të rrugës kanë ndodhur rrëshqitje dherash, të cilat kanë kaluar barrierat mbrojtëse dhe kanë përfunduar në karrexhatë, duke krijuar rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve.
Masat e dheut dhe gurëve të rënë në rrugë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në kushtet e motit të keq dhe të uljes së dukshmërisë.
Sipas informacioneve të deritanishme, nuk është marrë asnjë masë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria Rajonale e ARRSH-së në Gjirokastër apo kompania kontraktore ‘Salillari’, pavarësisht rrezikut të krijuar për përdoruesit e rrugës.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment rrugor deri në normalizimin e situatës.