Urdhër arresti evropian për ish-komisionerin Avramopoulos

Autoritetet belge kanë lëshuar një urdhër arresti evropian ndaj ish-Komisionerit të Bashkimit Europian dhe deputetit aktual, Dimitris Avramopoulos, në kuadër të hetimeve që lidhen me skandalin e njohur si “Qatargate”.

Sipas informacioneve, ish-komisioneri akuzohet për përfshirje në një organizatë kriminale, ndërsa hetuesit e lidhin çështjen me një përfitim financiar prej rreth 73 mijë eurosh.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Avramopoulos ishte thirrur për të dëshmuar para autoriteteve belge rreth një vit më parë, por nuk është paraqitur. Ky veprim dyshohet se ka ndikuar në përshkallëzimin e procedurave hetimore dhe në lëshimin e urdhrit të arrestit evropian.

Hetimet përqendrohen në bashkëpunimin e tij me një organizatë joqeveritare të themeluar nga ish-eurodeputeti italian dhe një prej figurave qendrore të “Qatargate”, Antonio Panzeri. Sipas burimeve hetimore, pas përfundimit të mandatit si Komisioner Europian, Avramopoulos ka ofruar shërbime për këtë OJQ, për një pagesë mujore prej 5 mijë eurosh.

Sipas të njëjtave burime, shuma totale e përfituar nga këto pagesa po shqyrtohet nga autoritetet belge si bazë e dyshimeve për përfitim të paligjshëm financiar në këtë çështje.