'Protesta, revoltë qytetare kundër korrupsionit e keqqeverisjes!' Neza: Në Europë po bie narrativa e Ramës
Prej më shumë se tre javë protestat që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijojnë pa ndërprerje, ndërkohë vëmendje fokusohet tek nevojëajetike për institucionalizimin e saj.
Gazetari Sami Neza i ftuar në studion e ‘Task Force’ në Syri Tv flet për 2 mënyra si produkti i kësaj proteste të bëhet i dukshëm për të gjithë, dhe ndërkohë edhe përfitues për të gjithë ata që e mbështesin këtë protestë.
“Njëra është të kanalizohet presioni. Ose të ndërtohet një instrument i cili e kanalizon presionin nga protesta tek institucionet vendimmarrëse, domethënë kur them vendimmarrëse them edhe parlamenti, them edhe qeveria. Dhe kjo protestë të jetë e lexueshme jo vetëm publikisht, jo vetëm në rrugë, por të jetë e lexueshme edhe në institucionet aty ku votohet ose aty ku merren vendime.
Kjo ngjan pak e vështirë, ka utopi pak brenda për shkak se institucionet në përgjithësi dominohen nga maxhoranca dhe maxhoranca është e vendosur totalisht, është e rreshtuar kundër kësaj proteste. Pavarësisht një komponenti brenda Partisë Socialiste ose jashtë Partisë Socialiste, me ish-socialistë, të cilët janë vendosur përballë Ramës. Ne ende nuk e lexojmë dot potencialin e kësaj pjese në raport me pjesën e cila e ka rrethuar Ramën ose qëndron njësoj në të njëjtin pozicion me Ramën.
Kjo është e para, kanalizimi. E dyta ka qenë, krijimi i një partie politike. Kjo ngjan edhe më utopike sesa ajo që thashë. Kjo për shkak se përbërja e protestës nuk është homogjene. Është heterogjene nga këndvështrime të ndryshme, domethënë, qoftë nga këndvështrime politike, nga këndvështrime sociale, po edhe nga projeksionet që kanë grupe të ndryshme në lidhje me të ardhmen e tyre apo me të ardhmen e produkteve të protestës dhe të asaj çfarë synon protesta. Ajo që mund të merret nga përvojat e vendeve të tjera, për shembull nga Maqedonia, është komunikimi, ose ndërtimi i këtij kanali presioni. Për sa kohë është i pamundur te qeveria dhe te parlamenti për shkak të maxhorancës qeverisëse, e cila i ka mbyllur veshët ndaj protestës, të ndërtohet një kanal komunikimi me opozitën, me të gjithë opozitën. Natyrisht duke ruajtur pozicionet e veta të protestës. Pa krijuar rrezikun e ngjyrosjes së protestës me ngjyrat që vijnë nga opozita, sepse këta thonë që ne jemi kundër gjithë sistemit, domethënë ka një pjesë të mirë të protestës e cila e furnizon këtë qëllim, por a mbetet mënyra e vetme për të arritur një komunikim i cili nuk cënon pozicionin e protestës dhe të protestuesve në partitë opozitare në mënyrë që...
Sonila Meço: Ti i referohesh rastit të Maqedonisë kur ndodhën atëherë përgjimet e famshme të cilat çuan në një qeveri kujdestare?
Sami Neza: Po, përgjimet e famshme të cilat ishin bombat kundër Gruevskit, u ndërtua një qeveri kujdestare dhe natyrisht qeveria kujdestare do të kalojë përmes një procesi institucional. Nuk ecet si, nuk kalon ndryshe.
Si e shohin ndërkombëtarët protestën?
Gazetari Sami Neza thotë se mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë ndryshuar tërësisht kursin e tyre të raportimit mbi situatën në Shqipëri, duke rrëzuar përfundimisht fasadën e propagandës qeveritare. Sipas analizave të fundit nga media të mëdha e tepër serioze, si "Financial Times" apo gazeta të tjera të njohura zvicerane e evropiane, protestat masive në vend nuk po shihen më thjesht si një lëvizje ekologjike kundër projekteve të caktuara. Tanimë po theksohet qartë se revolta qytetare është një reagim i drejtpërdrejtë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
“Unë lexova dje Financial Times-in, një ndër gazetat më serioze që ka bota sot, dhe e cila theksonte faktin se protesta nuk lidhet vetëm me çështje ekologjike, nuk lidhet vetëm me çështjen e projektit, ka shërbyer projekti si një nxitje, por është e lidhur me keqqeverisjen e qeverisë. Po e shkruajti FT këtë gjë, në Evropë ka marrë fund kjo gjë, domethënë në kuptimin e asaj perceptimit ose vizatimit të protestës ashtu siç është protesta në vetvete. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse po del nga ajo që u krijua në fillim për shkak të nevojës për të krijuar një propagandë ose një klimë PR-i në Evropë kundër Trump-it, duke përdorur këtë gjë, por megjithatë tani gjërat janë të shpjegueshme.
Tani fakti që Rama lajmëroi një vizitë dhe kreu një vizitë në presidencën franceze me presidentin Macron... Në përgjithësi agjenda është normale, deklarata në fakt që ka bërë Macron është formale në kuptimin, është krejt normale të bëhet një deklaratë e tillë pas një takimi midis kryeministrit dhe presidentit të një vendi, të cilët kanë një marrëdhënie të fortë ekonomike e politike.
Praktikisht vizitat kur bëhen vizita të tilla, kur kryeministri shkon tek vendet të cilat priten nga kreu i shtetit ose kryeministri, varet kush është i pari, lajmërohen pak më herët. Nuk lajmërohen para dy ditësh. Siç u lajmërua vizita për Macronin, ne para dy ditësh, tre ditësh e morëm vesh... jo zyrtarisht po mësuam që do shkonte në Francë dhe do takonte Macron. Kjo do të thotë se Rama e ka këtë vizitë dhe mendoj se nuk do të ketë vetëm këtë vizitë, do të ketë minimumi edhe dy tre vizita të tjera në kuadrin e PR-it të tij për të mbrojtur atë imazh të cilin në fakt ka arritur ta ngulitë tek burokratët evropianë për shumë vite. Dhe që tashmë ka ndërtuar një thyerje shumë të madhe midis asaj çfarë lexojnë shqiptarët te Edi Rama dhe ndërkohë sapo kanë nisur ta lexojnë edhe evropianët atë.”