Arratisja e intelektualëve

Mjerë ai që nuk kupton që një Shqipëri tjetër ka filluar. Mjerë ai që nuk e kupton që protesta ka simbol atë nënën me karrocë e fëmijë në të. Mjerë ai që nuk e kupton që Shqipëria sapo ka hyrë në një epokë tjetër. E ndryshme, e re.

As mërzitem për as edhe një sekondë kur dikush i sponsorizuar, i pasponsorizuar, i frustruar, i revoltuar, i çliruar, i iluminuar i sulet edhe opozitës apo edhe medias. Mendoj që të gjithë kanë një të drejtë të madhe. Shqipëria e sotme nuk i përfaqëson më ata. Ata e dinë më mirë se kushdo si mund të jetë Shqipëria tjetër. Shqipëria evropiane.

Nuk kemi arritur deri më sot të krijojmë Atdheun e të gjithëve.

Qesh në trishtim kur protesta i bën thirrje intelektualëve. Kujt intelektualë? Intelektualët e vërtetë duhet të ishin aty pa i thirrur njeri. Në vijën e parë. Por oportunistët, me demek intelektualë, bëjnë analiza tryezave të kafesë, se kanë frikë të paraqiten edhe në studio televizive e të sfidojnë të vërtetat e të pavërtetat e ekraneve të paguara, të goditura apo ekrane opozitare. Madje oportunistët pseudo-intelektualë vënë edhe baste për protestën: shitet, nuk shitet, shuhet, nuk shuhet, rrëzohet, nuk rrëzohet. Turp!

Shqipëria tjetër është në shesh sot. Dikush i quan pa lidership, dikush i quan të përçarë, dikush konfuzë. Dikush marksistë, dikush fashistë, madje narko-kryeministri pervers dhe agjentë të Iranit... Jo, jo! Protesta është qartësia e Zotit në tokë për një vend që rrezikon të shuhet e të shitet copë-copë prej një narko-kryeministri. Protesta është fati i Shqipërisë që Zoti ia ka hedhur si mundësi e si sfidë të gjithëve, madje edhe mëkatarëve.

Çfarë thotë protesta?!

1. Dorëheqja pa kushte e kryeministrit.

2. Qeveri teknike për një a dy vjet.

3. Etj., etj., legjitime të gjitha.

A ka më qartësi se kjo? Gruaja me karrocën me fëmijë, simboli-simbiozë i protestës së bashku me flamingon metaforike, janë të qartë. Vendi ka nevojë të pastrohet nga e keqja që sot ka një emër: Edi Rama, dhe vendi sot ka nevojë të çlirohet nga e vjetra ku vullneti i popullit shtrembërohet nëpër kuti votimi ndër vite. Dhe vendi ka nevojë të pastrohet nga kartelet e krimit të organizuar e nga Belindat (mafia gate keeper), e vendi ka nevojë t’i rrëmbehet nga duart karteleve dhe oligarkisë e t’i kthehet popullit të protestës, jo si copë tokë, po si atdhe, si vlerë, si jastiku i artë i të gjithë shqiptarëve.

Protesta ka sfiduar një narko-regjim. Protesta e ka bërë qesharak, donkishotesk, dhe ka treguar botërisht perversitetin e një narko-kryeministri. Po, protesta ka sfiduar dhe shpirtin opozitar. Ju që luftoni, predikoni, qëndroni kundër regjimit të Edi Ramës, protesta ju sfidon, Shqipëria në shesh ju sfidon. Çfarë ju komplekson nga protesta? Shpirti? Stili? Numrat? E reja? Ku është e thënë se duhet të jemi dakord me çdo parullë që hidhet për t’iu bashkuar asaj?

Opozita do duhej të ishte sot gruaja me barrë që lind të renë. Të paktën bëj maminë se do ta mbajë mend, e do t’jua dijë për jetë Shqipëria.

E si?

Fol për rininë, fol për protestën, fol për njerëzit, fol për fëmijët e demokratëve, socialistëve dhe të atyre pa parti, që sot janë në protestë.

Fol edhe për atë pjesë të grupit parlamentar të ish-PS që ziejnë përbrenda e debatojnë me perversin narko.

Fol për ndërkombëtarët, për ata që e kuptojnë e mbështesin e e vokalizojnë protestën në mënyrë fantastike, po fol edhe për ato kauza që ndoshta nuk i mbështet, por që i përkasin një pjese të shoqërisë.

Fol edhe për ata socialistë, ish apo të rinj, që kanë dalë e mbështesin protestën. Mos ki frikë, e ardhmja e Shqipërisë është edhe e tyrja.

Fol për oligarkët, mos ki frikë, Shqipëria nuk është e 15 vetave që shesin beton e marrin toka me një euro; Shqipëria është e protestës.

Fol për median e groposur në errësirë; të blerë e të shitur që nuk guxon të thotë të vërtetën; fol për median sot të mundur nga e vërteta e protestës.

Dhe ti, intelektual, po të ishe intelektual do udhëhiqeshe nga shpirti i revoltës dhe aroma e së resë, që tashmë ka pushtuar Shqipërinë.