'Shqiptarët nuk mashtrohen më!' Zhupa reagon ndaj videove të Ballës: Propaganda po dështon

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa reagon ndaj videove të Ballës me diasporën: Shqiptarët nuk mashtrohen më! Ata janë bashkuar kundra qeverise, propaganda po dështon. 

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj videove të publikuara nga Taulant Balla me emigrantë në mbështetje të qeverisë, 'përpjekje propagandistike që nuk mund të fshehin pakënaqësinë qytetare".

Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa thekson se protesta madhështore e diasporës më 20 qershor në Tiranë, si dhe protestat e shqiptarëve në qytete të ndryshme të botës, treguan forcën reale të diasporës dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë. Sipas saj, përpjekjet për të vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit dhe për të relativizuar revoltën qytetare janë metoda të vjetra të pushtetit, ndërsa nënvizon se protesta 22-ditore ka dëshmuar se qytetarët po bashkohen në mbrojtje të të drejtave dhe interesit publik.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Ulërima e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar, se pse deputetët nuk po e mbrojnë mjaftueshëm në rrjetet sociale dhe nuk po fitojnë “luftën me algoritmin”, duket se ka dhënë efektin e saj. Sot janë lëshuar të gjithë me video e statuse nga më të ndryshmet, edhe pse nuk ka algoritëm që i shpëton nga gjykimi i shqiptarëve, të cilët ua kanë bërë tashmë vlerësimin.

Një nga përpjekjet më mediokre është publikimi i disa videove me emigrantë të lumtur me Ramën dhe kundër protestës. Ndërkohë, protesta madhështore e diasporës më 20 qershor në Tiranë, si edhe protestat e zhvilluara në qytetet kryesore të botës, treguan forcën reale të shqiptarëve kudo që jetojnë. Ato dëshmuan se pakënaqësia nuk është as e sajuar dhe as e izoluar, por një zë i gjerë qytetar që kërkon të dëgjohet.

Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet për të nxjerrë disa video propagandistike me emigrantë në mbështetje të qeverisë nuk e zbehin dot realitetin. Ato nuk i japin përgjigje asnjë shqetësimi të ngritur nga protestuesit dhe nuk e fshehin dot faktin se mijëra shqiptarë kanë zgjedhur të ngrihen në mbrojtje të interesit publik.

Akoma më e rëndë është tentativa për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, duke paraqitur mendimin e disave si kundërpeshë të revoltës së shumëkujt. Kjo është një metodë e vjetër e çdo pushteti që ndihet i kërcënuar nga zëri qytetar: përça për të sunduar.

Forca e protestës 22-ditore dhe, në veçanti, ajo e 20 qershorit, tregoi pikërisht të kundërtën e asaj që përpiqet të shesë propaganda: shqiptarët bashkohen kur ndihen të cenuar në të drejtat e tyre.

Kur qindra mijëra qytetarë flasin me zërin e protestës, askush nuk mund ta zëvendësojë atë realitet me disa video të përzgjedhura për konsum politik. Zëri i qytetarëve është gjithmonë më i fortë se propaganda.