Goditje e rëndë për Gjermaninë, Schlotterbeck humbet pjesën e mbetur të Botërorit
Kombëtarja e Gjermanisë ka marrë një lajm të keq në mes të aventurës së saj në Botërorin 2026. Mbrojtësi qendror, Nico Schlotterbeck, nuk do të mund të vazhdojë më garën për shkak të një dëmtimi serioz në kyçin e këmbës së majtë.
Lajmi është konfirmuar nga Federata Gjermane e Futbollit, e cila bëri të ditur se ekzaminimet mjekësore kanë zbuluar një dëmtim të ligamenteve në kyçin e majtë. Futbollisti i Borussia Dortmundit e pësoi lëndimin gjatë fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj.
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, shprehu keqardhjen për mungesën e mbrojtësit 26-vjeçar.
“Schlotterbeck do të na mungojë shumë në fushë. Ky Botëror mund të kishte qenë turneu i tij”, deklaroi Nagelsmann.
Schlotterbeck ishte një nga shtyllat e repartit mbrojtës të Gjermanisë, duke formuar dyshen e qendrës së mbrojtjes së bashku me Jonathan Tah. Ai kishte nisur në mënyrë të shkëlqyer turneun, madje duke realizuar edhe golin e tij të parë me fanellën e kombëtares në fitoren e thellë 7-1 ndaj Curaçao-s në ndeshjen hapëse.
Pavarësisht kësaj humbjeje të rëndësishme në mbrojtje, Gjermania ka siguruar tashmë kualifikimin në fazën e një të gjashtëmbëdhjetave të finales falë dy fitoreve në dy ndeshjet e para. Gjermanët do të mbyllin fazën e grupeve të enjten me përballjen ndaj Ekuadorit, përpara se të nisin sfidat me eliminim direkt.
Dëmtimi i Schlotterbeck përbën një goditje të fortë për ambiciet e Gjermanisë, pasi mbrojtësi ishte shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë muajve të fundit.