Gjesti prekës i Iranit pas barazimit me Belgjikën, kujtohen 168 vajzat e vrara në Minab
Kombëtarja e Iranit ka dhuruar një nga momentet më prekëse të Botërorit 2026 pas barazimit 0-0 ndaj Belgjikës, duke përcjellë një mesazh të fortë kujtese dhe solidariteti për viktimat e luftës.
Pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes së zhvilluar në Los Anxhelos, futbollistët iranianë nuk u drejtuan menjëherë për në dhomat e zhveshjes. Ata qëndruan për disa minuta në qendër të fushës, duke përshëndetur tifozët në qytetin që strehon komunitetin më të madh iranian jashtë Iranit.
Kapiteni Mehdi Taremi mblodhi shokët e skuadrës në një rreth në mes të fushës dhe mbajti një fjalim emocional. Sulmuesi iranian kishte ndërruar fanellën e bardhë të kombëtares me fanellën e kuqe me numrin 20 të Hans Vanaken.
Momenti më domethënës erdhi në dhomat e zhveshjes, ku lojtarët lanë një letër prekëse. Në të shkruhej: “Nga Persia e lashtë mijëravjeçare deri tek Irani civil i ditëve të sotme, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i palëkundur”.
Mesazhi shoqërohej me hashtagët #168 dhe #Minab, në kujtim të 168 vajzave që humbën jetën gjatë bombardimit të një shkolle për vajza në qytetin iranian të Minabit në ditën e parë të luftës. Sipas të dhënave të përmendura në mesazh, sulmi shkaktoi të paktën 175 viktima.
“Erdhëm në Los Anxhelos me krenari, garuam me nder dhe po largohemi me dinjitet. Faleminderit, Los Anxhelos, për mikpritjen. Faleminderit çdo iraniani që i dha zemrën, zërin dhe shpirtin Iranit gjatë këtyre 180 minutave. Urojmë që paqja, respekti dhe miqësia të mbizotërojnë mes të gjitha kombeve”, thuhej në përfundim të letrës.
Pas ndeshjes foli edhe trajneri i Iranit, Amir Ghalenoei, i cili e cilësoi rezultatin si historik.
“Për ne, duke pasur parasysh vështirësitë që kemi kaluar për të arritur deri këtu, ky është një rezultat historik. Është një ditë që do të kujtohet edhe në të ardhmen. Ne luajmë me zemër. Sot festojmë, ndërsa nesër do të fillojmë përgatitjet për ndeshjen kundër Egjiptit”, deklaroi tekniku iranian.