Merz: Mali i Zi praktikisht gati për t’u anëtarësuar në BE

Kancelari gjerman Friedrich Merz pas samitit dy-ditor të liderëve të BE-së në Bruksel ka deklaruar se Mali i Zi është praktikisht gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Sipas tij, situata në Ballkanin Perëndimor ndryshon nga ajo e Ukrainës.

“Ne kemi negociuar anëtarësimin në BE me këto vende për gati 20 vjet dhe të paktën njëra prej tyre, Mali i Zi, është praktikisht gati për anëtarësim”, tha kancelari gjerman.

Ai shtoi se shumica e kapitujve negociues tashmë janë përfunduar dhe se Mali i Zi mund të hyjë tashmë në fazën përfundimtare të procesit të pranimit.

Sipas tij pyetja kryesore është nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së të gjitha menjëherë apo një nga një.

“Ka arsye të mira për të argumentuar se ato duhet të bashkohen të gjitha në të njëjtën kohë. Por ka edhe arsye të mira për të argumentuar se ato duhet të bashkohen njëra pas tjetrës. Do ta diskutojmë këtë në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian.

Propozimet janë në tryezë dhe shumë kolegë janë mirënjohës që po shkojmë përtej frustrimit që përjetuam vitin e kaluar kur mbajtëm Samitin e fundit të Ballkanit Perëndimor këtu në Bruksel dhe askush nuk dinte vërtet çfarë të bënte me vendet e Ballkanit Perëndimor ose si ta çonte procesin përpara”, tha Merz.

Ai shtoi se ai dhe presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqen të dalin nga ky rreth vicioz dhe të paraqesin një propozim se si mund të arrihet përparim në këtë çështje.

Këshilli Evropian njoftoi se udhëheqësit e BE-së do të zhvillojnë një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat e brendshme në takimin e tyre të tetorit 2026, duke përmendur vrullin e ripërtërirë në procesin e pranimit dhe duke kujtuar angazhimet e përcaktuara në Deklaratën e Granadës.