Dehidratimi tek fëmijët në verë, rreziku që shpesh ngatërrohet me lodhjen e zakonshme

Lodhja e tepërt, dhimbjet e kokës, përgjumja dhe urina me ngjyrë të errët gjatë ditëve të nxehta të verës nuk janë gjithmonë pasojë e aktivitetit fizik apo temperaturave të larta. Në shumë raste, këto simptoma mund të sinjalizojnë mungesë të lëngjeve në organizëm, një gjendje që shpesh nënvlerësohet nga prindërit.

Gjatë verës, fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke luajtur në ambient të hapur, në plazh apo në pishina. Të përfshirë nga loja, ata shpesh harrojnë të pinë ujë dhe nuk e ndiejnë etjen në kohë. Prindërit mund t’u ofrojnë lëngje, por përgjigjja tipike është refuzimi me arsyetimin se “nuk kam etje”. Pas disa orësh, mund të shfaqen shenja si lodhje e theksuar, nervozizëm, marramendje apo dhimbje koke, të cilat shpesh keqinterpretohen si rraskapitje nga aktiviteti.

Kur etja nuk ndihet në kohë

Mjekët theksojnë se dehidrimi është ndër problemet më të shpeshta gjatë muajve të nxehtë, por edhe një nga më të nënvlerësuarit. Mungesa e ujit në organizëm nuk ndikon vetëm në energjinë e fëmijës, por mund të ketë pasoja edhe në funksionimin e organeve jetike, përfshirë veshkat.

Një keqkuptim i zakonshëm është ideja se fëmijët vetë e rregullojnë marrjen e ujit sipas nevojës. Në realitet, sidomos gjatë lojës apo aktivitetit fizik, ndjenja e etjes shpesh injorohet plotësisht. Kjo bën që dehidrimi të zhvillohet gradualisht pa u vënë re.

Rreziku rritet edhe më shumë në kushte të temperaturave të larta, gjatë aktiviteteve sportive, udhëtimeve të gjata, qëndrimit në plazh, si dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë, të vjella apo diarre.

Si ndikon mungesa e lëngjeve në organizëm

Uji luan rol thelbësor në funksionimin normal të trupit. Ai ndihmon në rregullimin e temperaturës, qarkullimin e gjakut dhe eliminimin e toksinave përmes veshkave.

Kur trupi humb më shumë lëngje sesa merr, qarkullimi i gjakut drejt veshkave zvogëlohet dhe organizmi fillon të kursejë ujë. Si pasojë, urina bëhet më e përqendruar dhe më e errët, ndërsa frekuenca e urinimit ulet.

Në rastet e lehta, gjendja përmirësohet shpejt me marrje të mjaftueshme lëngjesh. Por kur dehidrimi bëhet i theksuar dhe zgjat, ai mund të ndikojë seriozisht në funksionin e veshkave dhe të kërkojë edhe trajtim mjekësor.

Më të rrezikuarit janë foshnjat, fëmijët e vegjël, ata me sëmundje kronike, fëmijët me temperaturë të lartë apo me shqetësime gastrointestinale, si dhe sportistët e rinj që stërviten në vapë.

Shenjat që shpesh kalojnë pa u vënë re

Dehidrimi nuk shfaqet gjithmonë në mënyrë të menjëhershme. Shpesh fillon me simptoma të lehta që mund të ngatërrohen me lodhje të zakonshme.

Ndër shenjat kryesore janë urinimi i rrallë, urina me ngjyrë të errët, goja dhe buzët e thata, mungesa e energjisë, përgjumja e pazakontë, nervozizmi dhe dhimbjet e kokës. Tek fëmijët më të vegjël mund të vihen re pelena të thata për orë të tëra, sy të tërhequr dhe aktivitet i ulur.

A mund të ndodhë dehidrimi edhe në ujë?

Një tjetër keqkuptim i përhapur është se fëmijët që kalojnë kohë në det apo pishinë nuk rrezikojnë dehidrim. Kjo nuk është e saktë.

Edhe gjatë notit apo lojës në ujë, organizmi humbet lëngje përmes djersitjes. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë që fëmijëve t’u ofrohet ujë në mënyrë të rregullt, pavarësisht nëse kërkojnë apo jo të pinë.

Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore

Në disa raste, dehidrimi mund të kalojë kufijtë e një gjendjeje të lehtë dhe kërkon ndërhyrje mjekësore. Shenjat alarmante përfshijnë pamundësinë për të mbajtur lëngjet për shkak të të vjellave, urinim shumë të rrallë, përgjumje të theksuar, konfuzion, sy të futur dhe refuzim për të pirë ujë.

Në këto situata, ndërhyrja e shpejtë është thelbësore për të shmangur komplikimet.

Edhe pse gjatë verës prindërit fokusohen tek mbrojtja nga dielli dhe aktivitetet rekreative, specialistët theksojnë se një nga elementët më të rëndësishëm mbetet hidratimi i rregullt.

Dehidrimi nuk është thjesht një ndjenjë etjeje, por një gjendje që mund të ndikojë në gjithë organizmin nëse neglizhohet. Për këtë arsye, ofrimi i ujit në mënyrë të vazhdueshme mbetet një nga masat më të thjeshta, por edhe më të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve gjatë verës.