‘Lekë sa për 20 ‘porche’/ 1 mln euro u dorëzuan në garazh - Paratë e drogës u dhanë nga grupi i Pepës për Salvador Aliun

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një dorëzim prej 1 milion eurosh “cash” që grupi i Slavador Aliut do të merrte nga grupi i Jetmir Pepës.

Më datë 04.11.2020, Salvatore Aliu krijon një grup “chat” me Jetmir Pepajn dhe Isa Aliun. Ky i fundit është nisur nga Elbasani në drejtim të Tiranës, sipas porosisë së vëllait të tij, të hetuarit Salvatore Aliu, me qëllim që të takojë Jetmir Pepajn, i cili do t’i dorëzonte 1 milion euro cash.

Dorëzimi i parave është bërë në garazhin e hotel “Plaza” në Tiranë nga ana e një personi të paidentifikuar (i cili përmendet si nipi nga ana e Jetmir Pepës), edhe pse Jetmir Pepa këmbëngulte që Isai të futej në hotelin e tij “Oxford”, pasi do të ishte më i sigurtë, por Isai e ka pasur të pamundur të shkonte te hotel “Oxford”, pasi nuk kishte ku të linte makinën e tij “Porche”.

E njëjta lëvizje është realizuar edhe më datë 08.11.2020, ku Isa Aliu ka marrë nga Pepajt 200.000 euro. Pepaj i përgjigjet me shaka shqetësimit të Isait për sigurinë e “Porche”-s, se i blen Qerosi (Salvatore) tjetër dhe se po i jep lekë sa për 20 makina “Porche”.