‘Për Zotin po thyhen në mes’/ Dizdari-Aliut: Fut më pak kokainë në çanta se u mpinë punëtorët

Deri në 10 ton kokainë nuk ishin asgjë për Eldi Dizdarin ti sillte nga Amerika Latine drejt Europës.

I shumëkërkuari i drejtësisë i thotë furnizuesit kryesor me drogë Salvatore Aliu, se skemën e ka gati, tregun gjithashtu, por vetëm ka një ankesë, çantat me kokainë të mos jenë mbi 45-50 kg “për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”.

Aliu i përgjigjet se do shikojë t’i bëjë 50 kg dhe nuk nguron të shprehet se kjo gjë i jep adrenaline.

Bisedat zbardhen nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme e cila mori dhe transkriptoi komunikimet mes anëtarëve të grupit kriminal në Sky Ecc.

Ndër të tjera Salvatore Aliu i tregon Dizdarit se arsyeja pse çantat bëhen të mëdha apo të rënda, është pasi pagesa në nisje bëhet në bazë të numrit të çantave që ngarkohen në konteniere.

Salvatore Aliu i jep opsionet e kontenierëve të kompanisë së bananeve "Dole", ndërkohë që Dizdari këmbëngul për Anversin si destinacion transit dhe jo sipas kompanive, pasi kompania "Dole" që Aliu sugjeron, i nënshtrohet kontrolleve me skaner por kontenierët në Evropë. Salvatore Aliu i tregon dhe mënyrën e të operuarit, duke i treguar se ngarkesat i fut në konteniere, dhe brenda kontenierit vendos dhe kopje të çelsit të tij, i cili pas thyerjes që i bëhet në dalje, vendoset kopja e njëjtë, në mënyrë që mos të kuptohet që kontenieri është hapur.

Rreth një javë më parë SPAK ka goditur një prej grupeve kriminale më të mëdha të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës, të drejtuar nga Dritan Gjika, Salvatore Aliu dhe  Eldi Dizdari që njihet edhe si Denis Matoshi, cili dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. 10 masa sigurie u lëshuan nga organet e drejtësisë shqiptare, por vetëm Flrojan Musaj u arrestua pasi shumica e të tjerëve ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre hetimeve SPAK iu sekuestroi anëtarëve të grupit 491 pasuri me vlerë 150 milion euro./ Fatjon Gjinaj/