'Koha e narkoqeverisë po mbaron'/ Xhixho: Shqipëria në krizë, paraja kriminale ka deformuar ekonominë

Në një deklaratë për mediat nga selia e Partia e Lirisë, zëvendëspresidentja e saj, Erisa Xhixho, akuzoi qeverinë se ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon pastrimin e parave dhe dëmton ekonominë reale, prodhimin vendas dhe sipërmarrjen e ndershme.

Sipas Xhixhos, ekonomia shqiptare nuk mbështetet më te puna, prodhimi apo iniciativa private, por te paratë e pista, të cilat, sipas saj, po përdoren për ndërtimin e kullave dhe resorteve luksoze. Ajo deklaroi se lejet e ndërtimit po shpërndahen për klientët e pushtetit dhe persona të lidhur me qeverinë, ndërsa qytetarët e zakonshëm po e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë një banesë.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë theksoi se rënia e euros është shoqëruar me rritje të ndjeshme të çmimeve të apartamenteve, duke e cilësuar këtë si pasojë të një ekonomie të deformuar nga paratë kriminale dhe nga një treg i manipuluar.

Duke iu referuar projekteve të ashtuquajtura strategjike, Xhixho u shpreh se ndërtimi dhe turizmi janë kthyer në sektorë ku ndërthuren interesat e pushtetit politik, oligarkëve dhe krimit të organizuar. Ajo shtoi se miliarda euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar dhe po investohen në projekte ndërtimi, resorte dhe kazino.

Në fund të deklaratës, zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron interesa të lidhura me narkotrafikun dhe se po lejon një sistem ku, sipas saj, krimi pasurohet ndërsa qytetarët varfërohen.

Xhixho u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestat kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë si një betejë për mbrojtjen e ekonomisë, pronës dhe të ardhmes së vendit. Ajo u shpreh se “koha e narkoqeverisë po mbaron” dhe se ndryshimi do të vijë përmes angazhimit qytetar dhe mbrojtjes së demokracisë.

Xhixho:

Sot ekonomia shqiptare nuk mbahet në këmbë nga puna, prodhimi apo sipërmarrja e ndershme. Ajo mbahet në këmbë nga paratë e pista.

Për vite me radhë, narkoqeveria ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon pastrimin e parave dhe godet punën e ndershme. Miliona metra katrorë beton janë ngritur me para që nuk burojnë nga ekonomia reale, ndërsa lejet e ndërtimit shpërndahen për klientët e pushtetit dhe njerëzit e afërt me qeverinë.

Ndërkohë që kudo shohim kulla dhe resorte luksoze, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të pamundur të blejnë një shtëpi. Apartamentet kushtojnë 300 apo 400 mijë euro, ndërsa paga mesatare nuk kalon 800 euro. Një familjeje të re i duhet një jetë e tërë pune për të siguruar një banesë.

Rënia drastike e euros është shoqëruar me trefishimin e çmimeve të apartamenteve. Ky nuk është zhvillim ekonomik. Kjo është pasoja e drejtpërdrejtë e një ekonomie të deformuar nga paratë e pista dhe nga një treg i manipuluar në funksion të interesave të ngushta kriminale.

Ndërsa ndërtohen kulla, po shkatërrohen sektorët që prodhojnë mirëqenie. Mbi 300 mijë fermerë janë goditur nga tkurrja e bujqësisë. Fasoneria po falimenton nën goditjen e zhvlerësimit të euros, qindra sipërmarrje po mbyllin aktivitetin dhe mijëra punonjës po humbasin vendet e punës.

Në ditët e fundit janë sekuestruar pasuri dhe sasi të mëdha parash me vlerë rreth 300 milionë euro. Vetëm kjo shumë përfaqëson afërsisht 12% të investimeve vjetore në ndërtesa në Shqipëri. Kjo tregon qartë përmasën alarmante të infiltrimit të parasë kriminale në ekonominë shqiptare.

Nën etiketën e “investimeve strategjike”, projekte me vlerë miliarda euro janë shndërruar në mekanizma të pastrimit të parave të pista. Ndërtimi dhe turizmi janë kthyer në sektorët ku bashkëjetesa mes pushtetit politik, oligarkëve dhe krimit të organizuar është më e dukshme se kurrë.

Rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Këto para po shndërrohen para syve tanë në kulla, resorte dhe kazino, pa pyetur për pronën private, pa pyetur për zonat e mbrojtura dhe pa pyetur për ligjin.

Turizmi dhe shifrat propagandistike të qeverisë janë bërë alibia pas së cilës fshihen flukset e parasë së pistë. Ndërsa lulëzojnë ndërtimet luksoze, call center-at dhe aktivitete që nuk shpjegohen me ekonominë reale të vendit, themelet e ekonomisë së ndershme po gërryhen çdo ditë.

Paraja kriminale krijoi iluzionin e rritjes ekonomike. Por realiteti është krejt tjetër. Mbi një milion shqiptarë janë larguar nga vendi. Shqipëria po zbrazet, ndërsa propaganda e narkoqeverisë përpiqet të fshehë një realitet që çdo familje shqiptare e përjeton çdo ditë.

Loja që po luhet me zhvlerësimin e euros duhet të marrë fund, sepse po rrezikon të hedhë në erë themelet e ekonomisë shqiptare.

Çdo ditë që kalon me këtë zhvlerësim mafioz të euros e bën më të vështirë rikthimin e ekonomisë në normalitet. Çdo ditë që kalon mbyllen biznese, humben vende pune, falimentojnë fermerë dhe prodhues, ndërsa ekonomia zhytet gjithnjë e më thellë në një krizë që nesër mund të mos ketë më kthim.

Kjo është filozofia qeverisëse e Edi Ramës: “Pas meje le të bëhet kiameti.” Për të ka rëndësi propaganda e ditës, fasada e kullave dhe statistikat e manipuluara. Nuk ka rëndësi fermeri që falimenton, sipërmarrësi që mbyll biznesin, punëtori që humbet vendin e punës apo i riu që detyrohet të largohet nga Shqipëria.

Ky është bilanci i Edi Ramës, i cili nga Kryeministër është shndërruar në mbrojtësin politik të grupeve të narkotrafikut dhe garantin e një sistemi ku krimi pasurohet, ndërsa qytetarët varfërohen.

Por shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë faturën e kësaj narkoqeverie. Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme mbi ekonominë e parasë së pistë, mbi pastrimin e parave dhe mbi shkatërrimin e prodhimit vendas.

Dhjetëra mijëra qytetarë po dalin çdo ditë në protestë për të mbrojtur pronën e tyre, punën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ata po protestojnë kundër një narkoqeverie që ka vendosur interesat e krimit mbi interesat e shqiptarëve.

Të rinjtë që mbushin sheshet sot janë shpresa e Shqipërisë së nesërme. Ata po kërkojnë një vend normal, ku pasurohet puna dhe jo krimi, ku shpërblehet ndershmëria dhe jo lidhja me pushtetin.

Kjo nuk është më vetëm një betejë politike. Është një betejë për mbijetesën ekonomike të vendit, për pronën, për punën dhe për të ardhmen e çdo familjeje shqiptare.

Prandaj koha e narkoqeverisë po mbaron. Asnjë pushtet i ngritur mbi korrupsionin, pastrimin e parave dhe aleancën me krimin nuk mund të mbijetojë përballë vullnetit të qytetarëve.

Koha e qytetarëve po vjen. Është koha që të gjithë t’i bashkohemi kësaj lëvizjeje për të shpëtuar ekonominë, demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Faleminderit!