Ish-portieri legjendar i SHBA-së, Tim Howard i sinqertë: E pamundur të fitojmë Kupën e Botës

Ish-portieri i njohur i kombëtares amerikane, Tim Howard, ka shprehur dyshime të forta mbi shanset e Shteteve të Bashkuara për të fituar Botërorin 2026, pavarësisht nisjes së shkëlqyer në fazën e grupeve.

Në podcastin e tij “Unfiltered Soccer”, Howard u tregua i drejtpërdrejtë, duke deklaruar se një triumf i SHBA-së në turne është praktikisht i pamundur.

“SHBA-ja nuk mund ta fitojë Kupën e Botës, pa asnjë dyshim. Për ta arritur këtë, duhet të luajnë ndeshjen më të mirë të historisë së tyre katër herë radhazi”, u shpreh ai.

Sipas Howard, problemi kryesor qëndron te fazat eliminatore, ku niveli i kundërshtarëve rritet ndjeshëm dhe gabimet nuk falen.

Në Grupin D të Botërorit,  SHBA ka siguruar tashmë kualifikimin pas fitoreve bindëse 4-1 ndaj Paraguait dhe 2-0 ndaj Australisë, duke treguar formë të mirë dhe dominim në lojë.

Në diskutim u përfshi edhe ish-sulmuesi Landon Donovan, i cili u tregua pak më optimist, por gjithsesi pranoi vështirësinë e rrugës drejt trofeut.

“A mund të konkurrojnë? Po. Por a e kanë treguar se mund të mposhtin një ekip të madh? Jo ende”, tha Donovan, duke theksuar se konsistenca në ndeshjet vendimtare mbetet sfida kryesore.

SHBA do të luajë ndeshjen e fundit të grupit ndaj Turqisë në Los Angeles, ndërsa pritet me interes edhe gjendja e Christian Pulisic, i cili mund të rikthehet pas një dëmtimi të lehtë.

Megjithëse kualifikimi është siguruar, ndeshja e fundit do të shërbejë si test i rëndësishëm për amerikanët para fazës me eliminim direkt.