Berisha-protestuesve: Rrethimi epik i epiqendrës së krimit, arritje historike! Edi Rama i pashpresë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur protestën e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit ditën e shtunë, të cilët shënuan rekord pjesëmarrjeje.

‘Rrethimi epik i epiqendrës së krimit është arritje historike! Edi Rama është i pashpresë’, u shpreh Berisha gjatë konferencës me gazetarët.

Berisha: Jam këtu për të përshëndetur përzemërsisht dhe me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra apo qindra mijëra qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, që udhëtuan nga të katër anët e Evropës dhe botës dhe u bashkuan të shtunën dhe të dielën me dhjetëra mijëra qytetarë, duke i dhënë Tiranës dhe kombit një det të vërtetë shprese me protestën e tyre të paparë ndonjëherë.

Uikendi që kaloi, kryengritja paqësore më e fuqishme apo protesta paqësore më e fuqishme e njohur në histori mund të quhet si yikendi i diasporës, i atyre të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që udhëtuan mijëra e mijëra kilometra, nga toka, deti dhe ajri dhe u bashkuan me bashkëatdhetarët e tyre për largimin e regjimit autoritar më të egër që Shqipëria ka njohur pas diktaturës totalitare të Enver Hoxhës.

Ky akt madhështor ka mbushur me besim dhe shpresë zemrat e mbarë shqiptarëve dhe të kombit shqiptar.

Me vendimin dhe pjesëmarrjen e tyre, bashkëatdhetarët tanë nga diaspora në shumicë dërrmuese anëtare dhe mbështetës të PD, që zgjodhën të mbështesin protestën qytetare për rrëzimin e Edi Ramës, Pashiqit shqipfolës apo Çubrilloviçit që me qeverisjen e tij të keqe ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria dy herë më shumë se Pashiqi dhe Gjeorgjeviçi në zbatim të kësaj doktrine nga Kosova.

Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë, e bën fund e krye të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri.