Babëzia nuk ndalet/ DPSHTRR ndërton selinë qëndrore me 1750 euro metri katror pa kosto toke

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka lajmëruar modifikimin e kontratës për ndërtimin e godinës së re të këtij institucioni. Sipas dokumentave të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, kostoja e ndërtimit të godinës do të shtohet edhe me 142.3 milionë lekë ose 1.5 milionë euro mbi çmimin e kontraktuar në tender. Kjo e con koston totale të godinës së re të DPSHTRR në plot 9.3 milionë euro.

Nuk dihet se si është justitifkuar rritja e kostos me 20 për qind mbi nivelin e kontraktuar në tender, pasi ende nuk është publikuar dokumentacioni i plotë i tenderit që pritet të shpallet së shpejti.

Por rritjet e kostove pas tenderit janë një praktikë e përdorur gjerësisht në tenderat publikë në Shqipëri, falë një klauzole ligjore që lejon shtesë kontratë deri në 20 për qind të vlerës së tenderit.

Tenderi për ndërtimin e godinës së re të DPSHTRR u zhvillua në verën e vitit 2023 me fond limit të paracaktuar prej 785 milionë lekësh. Fitues i këtij tenderi u shpall kompania Hastoçi, e cila ofroi çmimin 737.5 milionë lekë.

Por tashmë që godina duhet të kishte përfunduar, DPSHTRR ka vendosur të shtojë edhe 142.3 milionë lekë të tjera mbi vlerën e fituar të tenderi duke e cuar koston totale të ndërtimit të godinës në 9.3 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Nëse përfshihet dhe kostoja totale e ndërtimit të selisë qëndrore të DPSHTRR shkon në 11.2 milionë euro. Kjo ndërtesë sipas projektit do të ketë një sipërfaqe totale prej 6385 metrash katrorë duke, nga të cilat 2400 metër janë bodrume nën tokë.

Kjo do të thotë se DPSHTRR po paguan plot 1750 euro për metër katrorë për ndërtimin e selisë qëndrore të saj, pa koston e tokës që është e shtetit, çka përbën një rekord absolut babëzie dhe shpërdorimi të parasë publike.

Tenderi i dyshimtë

Tenderi për godinën e re të DPSHTRR është zhvilluar dy herë. Herën e parë gara u hap në nëntor të vitit të 2022. Në të u paraqitën 7 oferta ku më e ulëta ishte ajo e bashkimit të kompanive Curri dhe Agri Construction me 700 milionë lekë. Por DPSHTRR vendosi t’i skualifikojë të gjitha ofertat.

Çështja u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky i fundit pas një zvarritje disa mujore në shqyrtimin e ceshtjes, i gjeti pjesërisht të drejta ankesat e kompanive me ofertën më të ulët për skualifikim të padrejtë, por përmes një vendimi të çuditshëm urdhëroi DPSHTRR që ta anullojë tenderin dhe ta hapë sërish garën.

Në tenderin e dytë DPSHTRR shpalli fituese kompaninë Hastoçi me ofertë 737.5 milionë lekë, të cilit tani do t'i shtohen edhe 142.3 milionë lekë të tjera.