Ylli Pango në gjyqin e ‘Partizanit’: Nuk kam diskutuar kurrë me Berishën apo Malltezin për terrenet sportive

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka dhënë këtë të hënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme në procesin për çështjen “Partizani”, duke hedhur poshtë pretendimet për përfshirje apo ndikim të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit në vendimmarrjet që lidhen me pronat e ish-klubit sportiv, raporton për Syri-n, Fatjon Gjinaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se nuk mban mend të ketë zhvilluar ndonjë bisedë me ish-kryeministrin Sali Berisha për Klubin Shumësportësh Partizani, ndërsa theksoi se me Jamarbër Malltezin nuk ka diskutuar asnjëherë për terrenet sportive apo çështje që lidhen me to.

“Për Klubin Shumësportesh Partizani nuk më kujtohet të kem folur ndonjëherë me doktorin (Sali Berishën). Me Malltezin nuk më kujtohet asnjë bisedë, as për sportet dhe as për terrenet. Nuk kemi diskutuar as me z. Malltezi dhe as me z. Berisha”, deklaroi Pango para gjykatës.

Ish-ministri theksoi gjithashtu se proceset e privatizimit kanë qenë prioritet i qeverisë së asaj kohe dhe se vendimmarrja nuk ka qenë produkt i iniciativave personale. Sipas Pangos, çdo pretendim pronësie i ligjshëm duhej të respektohej dhe nuk mund të përjashtohej nga vendimet e institucioneve.

“Nëse vjen një dokument dhe thotë ky është pronari, privatizimi nga pronarët e ligjshëm nuk përjashtohej. Vendimi për koncesionin nuk e përjashtonte pronarin privat”, u shpreh ai.

Një tjetër element i rëndësishëm i dëshmisë ishte pohimi i Pangos se një pjesë e mirë e zonës kishte humbur prej kohësh destinacionin sportiv, fakt që sipas tij njihej nga banorët e zonës dhe ishte reflektuar edhe në dokumentacionin institucional të kohës.

“E di çdo banor i asaj zone dhe lagjeje që një pjesë e mirë kishte humbur destinacionin”, deklaroi ish-ministri.

Pango sqaroi se objektivi kryesor i qeverisë ishte privatizimi dhe nxitja e investimeve private, ndërsa shtoi se modernizimi i sportit nuk mund të mbështetej vetëm te fondet shtetërore.

Dëshmia e ish-ministrit konsiderohet me rëndësi për mbrojtjen, pasi ai mohoi çdo komunikim apo ndërhyrje nga Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi në proceset që lidhen me ish-kompleksin sportiv “Partizani”, ndërsa konfirmoi se procedurat ndiqnin logjikën e politikave të privatizimit dhe të njohjes së të drejtave të pronarëve të ligjshëm.