Conceisao kundër kritikëve: Nuk jemi të detyruar t’ia pasojmë çdo top Ronaldos
Portugalia po përballet me kritika pas barazimit 1-1 ndaj Kongos në ndeshjen e parë të Botërorit 2026, ndërsa në qendër të debatit ka qenë varësia e skuadrës nga kapiteni Cristiano Ronaldo. Megjithatë, Francisco Conceicao ka hedhur poshtë idenë se lojtarët portugezë janë të detyruar të kërkojnë gjithmonë Ronaldon në fushë.
Në një konferencë për shtyp në Florida, sulmuesi i Portugalisë theksoi se vendimet gjatë lojës merren në çast dhe varen nga situatat që krijohen në fushë.
“Nuk kemi asnjë detyrim apo nevojë t’ia pasojmë topin atij. Cristiano është një shembull për të gjithë për shkak të urisë dhe përkushtimit që tregon çdo ditë”, deklaroi Conseisao.
Futbollisti i Juventusit shpjegoi se ritmi i lartë i lojës nuk lejon që lojtarët të mendojnë se kujt duhet t’ia japin topin për shkak të emrit apo statusit.
“Gjithçka ndodh shumë shpejt. Ia pasojmë topin lojtarit që është në pozicionin më të mirë në atë moment. Nuk ka asnjë logjikë tjetër”, shtoi ai.
Megjithatë, Conseisao pranoi se Ronaldo mbetet një figurë kyçe për kombëtaren portugeze dhe një nga golashënuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit.
“Kur bëhet fjalë për golat, nuk ka askënd si ai. Por kjo nuk do të thotë se çdo aksion duhet të kalojë vetëm përmes tij. Ai është këtu për të ndihmuar ekipin, ashtu si çdo lojtar tjetër”, u shpreh sulmuesi portugez.
Conseisao foli edhe për presionin që po përjeton Portugalia pas nisjes jo ideale të turneut, duke theksuar se kritikat janë pjesë normale e futbollit.
“Kur gjërat nuk shkojnë mirë, kritikat janë të pashmangshme. Ne jemi të parët që e kuptojmë kur nuk japim maksimumin, por përgjigjja duhet të vijë në fushë”, tha ai.
Tani Portugalia përgatitet për sfidën vendimtare ndaj Uzbekistanit, ku fitorja është thuajse detyrim për të shmangur komplikimet në garën për kualifikim dhe për të rikthyer qetësinë në kampin portugez.