Televizioni publik austriak: Bie ‘miti Rama’, protestat po shkatërrojnë imazhin e tij në Perëndim

Qindra media ndërkombëtare po raportojnë për protestat e vazhdueshme në Shqipëri kundër Edi Ramës, të cilat kulmuan të shtunën me protestën më të madhe në dekada.

Televizioni publik austriak, ORF, thekson se këto protesta po shkatërrojnë imazhin e Edi Ramës.

Media publike raporton se këto protesta shkojnë përtej aspekt mjedisor. ORF nënvizon se protestat janë përhapur edhe në diasporë, përfshi edhe Austrinë në fundjavë.

Televizioni austriak ka intervistuar edhe dy ekspertë për këtë çështje.

Oliver Schmitt, një ekspert i Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës thotë se deri më tani, shoqëria civile në Shqipëri ishte e dobët.

“Njerëzit kishin përjetuar se zgjedhjet nuk mund të sillnin ndryshime. Ata u dorëzuan me situatën ose emigruan,” thotë ai. Tani, Schmitt vëren një Gjeneratë Z shqiptare, "e mirëarsimuar dhe e lidhur ndërkombëtarisht" po i nxit këto protesta.

Është një lëvizje e gjerë proteste, vëren ekspertja e Shqipërisë Gresa Hasa: "Njerëzit po organizohen vetë pa udhëheqje". Në një intervistë me ORF.at, ajo i përshkroi protestat si "të paprecedentë" për Shqipërinë.

Protestat motivohen nga shqetësimet mjedisore, por mbi të gjitha nga një sistem politik i errët.

Rama është nervoz për shkak të protestave, tha Hasa. Ai sapo kishte filluar të kultivonte një imazh në Bruksel si një politikan socialist i besueshëm. Protestat, megjithatë, kanë zbuluar një pamje të ndryshme.

Rama e ka transformuar Shqipërinë në një shtet "ku institucionet publike i shërbejnë gjithnjë e më shumë interesave private". Ai e paraqet veten si një udhëheqës gjysmë-autoritar që po i shtyn përpara këto projekte.

Eksperti i Shqipërisë, Fron Nahzi, vëren gjithashtu se Rama ia ka dalë me sukses ta reklamojë veten para elitave perëndimore. “Protestat kanë sfiduar mitin që rrethon Edi Ramën për herë të parë në vite dhe kanë zbuluar se pas imazhit të burrështetasit artist, të preferuarit të konferencave perëndimore, qëndron një politikan i cili akuzohet gjithnjë e më shumë për përqendrimin e pushtetit dhe paraqitjen e tij si progres".

Por Komisioni Evropian vazhdon të qëndrojë pas Ramës dhe premtimeve të tij për të përmbushur ligjin e BE-së.

Hasa i vë në dyshim këto garanci. Në letër, Shqipëria po ecën mirë; së bashku me Malin e Zi është një pioniere në pranimin në BE: “Por kjo është vetëm formalitet. Praktikisht nuk ka pasur reforma të vërteta”.

Schmitt argumenton në mënyrë të ngjashme: “Shfaqja pro-BE është një shfaqje për të huajt”.

Rama dëshiron ta udhëheqë Shqipërinë në BE deri në vitin 2030. Ai “luan me mjeshtëri me stereotipet shqiptare, siç është ai i të qenit vendi më ekzotik në Evropë”.

Schmitt gjithashtu kritikoi rolin e BE-së. “Ajo nuk e mbështet shoqërinë civile, por përkundrazi bashkëpunon me aktorë shumë problematikë". Hasa shpreson gjithashtu që BE nuk do ta "mbështesë verbërisht" Ramën dhe do t'u drejtohet partnerëve të tjerë.