Incident në protest, gazetari Osman Stafa shkon për të bërë denoncim në komisariat…

Gazetari Osman Stafa pretendon se është provokuar nga protestues gjatë protestës së të dielës në mbrëmjë në Tiranë.

Sipas dëshmitarëve në momentin e ngjarjes, një çift bashkëshortësh dyshohet se e kanë fyer gazetarin Stafa.

Ngjarja ndodhi teksa protestuesit po marshonin drejt Qytetit Studenti dhe gazetari së bashku me kolegun e tij ka qenë në qendër të Tiranës.

Persona të tjerë kanë ndërhyrë për të shmangur përplasjen dhe kanë njoftuar policinë e cila shoqëroi një burrë dhe një grua, ndërsa gazetari po bën denoncimin në komisariatin nr.3.

Tiranë/ Informacion

Më datë 21.06.2026, rreth orës 22:00, pranë sheshit “Skënderbej”, është njoftuar Policia për një konflikt ndërmjet disa shtetasve.

Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar në Komisariat personat e përfshirë.

Konkretisht, shtetasin O. S., gazetar, i cili ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga shtetasit Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.

Nga ana tjetër, shtetasit Z. N. dhe M. P. kanë deklaruar se konflikti ka nisur pas një debati verbal me shtetasin O. S., pasi ky i fundit u ka kërkuar llogari lidhur me mospraninë e tyre në tubimin e zhvilluar në qytet.

Në lidhje me këtë rast po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë.