Mbappé: Dy gola nuk mjaftojnë për të treguar gjithë talentin tim

Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka folur me sinqeritet para ndeshjes së Botërorit 2026 ndaj Irakut, duke theksuar se një paraqitje e mirë në debutim nuk mjafton për të treguar potencialin e tij të plotë.

Sulmuesi francez u ndal fillimisht te tendencat që krijohen në futboll pas sukseseve të skuadrave të mëdha. Sipas tij, ekipet fituese bëhen gjithmonë model për të tjerët.

“Ekziston një kulturë e momentit. Skuadrat që fitojnë frymëzojnë futbollin aktual. Kur fiton, të gjithë mendojnë se ke të drejtë. Më parë na kërkohej të kopjonim Barcelonën dhe lojën e saj të posedimit, më pas Realin, ndërsa tani kundërpresingun e PSG-së. Kush fiton, bëhet shembull për të tjerët”, deklaroi Mbappé.

Ylli francez foli edhe për evolucionin e kombëtares së tij, duke nënvizuar se Franca e sotme është më sulmuese se ajo e Botërorëve 2018 dhe 2022.

“Ka vazhdimësi në projektin tonë. Jemi bërë më ofensivë dhe kemi integruar shumë talente të reja. Rruga është ende e gjatë, por jemi në drejtimin e duhur. Gjithsesi, Botërori është një garë shumë e paparashikueshme”, shtoi ai.

I pyetur për pozicionin e preferuar në fushë, sulmuesi i Francës theksoi se ndihet komod në të gjitha rolet e repartit ofensiv.

“Pozicioni nuk është aq i rëndësishëm për mua. Ndihem mirë fizikisht dhe mendërisht. Mund të luaj në të tri pozicionet e sulmit”, tha ai.

Në fund, Mbappé komentoi edhe dy golat e shënuar në ndeshjen e parë të Botërorit.

“Unë e di që kam cilësi, por nuk mendoj se një ‘dopietë’ në ndeshjen e parë është e mjaftueshme për të treguar gjithë shtrirjen e talentit tim në skenën më të madhe. Jam këtu për të shkruar histori me Francën dhe për të shijuar privilegjin e të luajturit në një Botëror”, përfundoi sulmuesi i Real Madrid.