Wayne Rooney, elozhe pa fund për Lamine Yamal: Më bën të buzëqesh, ka inteligjencë të jashtëzakonshme

Legjenda e futbollit anglez dhe ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka thurur elozhe të mëdha për talentin e ri të Spanjës, Lamine Yamal, pas paraqitjes së tij mbresëlënëse në Botërorin 2026.

Yamal ishte protagonist në fitoren e thellë të Spanjës ndaj Arabisë Saudite (4-0), duke shënuar golin e parë të ndeshjes që në minutën e 10-të dhe duke i dhënë qetësi skuadrës pas presionit të barazimit në ndeshjen e parë të turneut.

Duke komentuar për BBC, Rooney nuk e fshehu admirimin për yllin e Barcelonës. “Më pëlqen shumë Lamine Yamal, më bën të buzëqesh. Ka një inteligjencë futbolli të jashtëzakonshme, diçka shumë e vështirë për t’u mësuar”, u shpreh ish-kapiteni i Anglisë.

Rooney vlerësoi gjithashtu ndikimin e tij në kombëtaren spanjolle, duke theksuar se prania e tij rrit vetëbesimin e skuadrës. “Ai i jep Spanjës shumë siguri. Kur ishte 16 vjeç, ata fituan Evropianin me të në ekip”, kujtoi ai.

Sipas legjendës angleze, Yamal tashmë është edhe më i kompletuar. “Tani është pjekur më shumë dhe në moshën 18-vjeçare është edhe më i mirë. Ai i jep Spanjës bindjen se mund ta fitojnë këtë Botëror”, përfundoi Rooney.

Performanca e talentit të ri vazhdon të tërheqë vëmendjen e figurave më të mëdha të futbollit botëror, duke e vendosur atë si një nga emrat më premtues të turneut.