Yamal shpërthen pas golit të parë në Botëror: 4 vjet më parë e shikoja në klasë, tani po e përjetoj me familjen time
Lamine Yamal ka konfirmuar edhe një herë talentin e tij të jashtëzakonshëm në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke shënuar golin e tij të parë në një Kupë Bote dhe duke qenë protagonist në fitoren e thellë të Spanjës ndaj Arabisë Saudite.
Sulmuesi 18-vjeçar realizoi që në minutat e para të ndeshjes, duke i dhënë tonin një paraqitjeje dominuese të “La Roja”-s, e cila reagoi fuqishëm pas kritikave të ndeshjes së parë në turne.
Pas sfidës, Yamal u shpreh i emocionuar për momentin historik në karrierën e tij, duke theksuar se gjithçka ka një domethënie të veçantë për të. “Ishte plani të luaja një pjesë dhe të pushoja, por mbi të gjitha të ndihmoja ekipin. Ndeshja e parë nuk ishte ajo që donim, por tani jemi kthyer dhe synojmë më shumë”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu kujtoi rrugëtimin e tij drejt këtij momenti të madh: “Botërorin e kaluar e shikoja në klasë. Tani të shënoj këtu, me nënën time dhe familjen pranë, është një ëndërr”.
Yamal u ndal edhe te reagimi i Spanjës pas fillimit jo të mirë të turneut, duke pranuar se barazimi në ndeshjen e parë kishte shërbyer si motivim: “Kur e di që duhet ta fitosh një ndeshje dhe barazon, të mbetet peng. Por kjo na bëri të reflektojmë dhe të vijmë më të fortë”.
Me këtë paraqitje, ylli i ri i Barcelonës jo vetëm që ka hyrë në histori si golashënues në Botëror, por po konfirmon rolin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të së ardhmes së futbollit spanjoll.