Protestuesi nga Italia: Zoti President, a e përfaqësoni këtë popull? Ku jeni?
Po zhvillohet në këto momente protesta e 22-të e qytetarëve shqiptarë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Gjatë tubimit, një prej folësve iu drejtua protestuesve dhe bëri thirrje për bashkim dhe vijimin e qëndresës. Ai falënderoi pjesëmarrësit, duke u shprehur se ata po protestojnë për të drejtat elementare.
Në fjalën e tij, folësi ngriti pyetje ndaj Presidentit të Republikës, duke kërkuar reagim dhe përfaqësim të qytetarëve. Ai iu drejtua gjithashtu punonjësve të administratës, duke bërë thirrje që t’i bashkohen protestës.
“Unë vij nga Italia. Përshëndes të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që po protestojnë këtu për të drejtat elementare. Kisha një pyetje shumë të thjeshtë: Zoti President i Republikës, a e përfaqëson këtë popull? A të dhimbset ky popull? Të gjithë punonjësit e administratës janë bijtë e Shqipërisë, duhet të vijnë këtu ata. Të gjithë bashkë. Nuk vdes njeri për një vend pune”, u shpreh ai.
Më tej, folësi deklaroi se protestuesit kanë gjetur më shumë mbështetje jashtë vendit sesa brenda tij dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen.
“Bashkohuni të gjithë fort dhe mos u dorëzoni”, përfundoi ai.