‘Shqiptarët që ikën me anije do kthehen për të rrëzuar regjimin’/ Tepelena: Pa dallim feje e krahine, jemi bashkë…
Aktivisti Andi Tepelena, mbajti një fjalim para protestuesve, ku theksoi se lëvizja qytetare ka arritur të thyejë frikën dhe të bashkojë shqiptarët kundër korrupsionit dhe problemeve që, sipas tij, po pengojnë zhvillimin e vendit.
Ai u shpreh se shumë emigrantë që u larguan nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë janë të gatshëm të kontribuojnë për ndryshimin e situatës në atdhe.
Në fjalën e tij, Tepelena bëri thirrje për unitet kombëtar përtej dallimeve politike, fetare dhe krahinore, duke theksuar se qëllimi i përbashkët është ndërtimi i një Shqipërie më të drejtë dhe më pranë vlerave europiane. Sipas tij, qytetarët janë bashkuar rreth idealit për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
Tepelena: Përshëndetje të gjithëve nga komuniteti shqiptar në diasporë. Edhe unë kam iku në emigrim... ashtu si shumë të rinj e të reja, për një jetë më të mirë. Sot ka ardhur momenti që të gjithë ata që ikën me anije, në vitet '90, do vijnë këtu të kontribuojnë dhe kërkojnë të rrëzojnë një regjim. Kjo protestë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Ka thyer frikën! Më në fund qytetarët janë çuar në protesta masive kundër korrupsionit, krimit, kundër këtij regjimi që po mban peng të ardhmen e fëmijëve tanë, të rinjve, të gjithë shqiptarëve. Sot për herë të parë, duhet të jemi të bashkuar kombëtarisht. Dhe të mos harrojmë që ne jemi me Vaso Pashën: 'Feja e shqiptarit është shqiptaria'. Jemi të gjithë këtu pa dallim feje, krahine, ideje, bindjeje politike. Ne jemi këtu për një qëllim, jemi për një Shqipëri të re dhe pa këta të korruptuar që po mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë. Ne jemi me Sami Frashërin, i cili thotë 'Dielli lind në perëndim', sepse ne jemi popull që kemi përqafuar vlerat perëndimore, vlerat europiane. Atëherë tani radhën e gjatë dua t'ia kaloj... le ta dëgjojmë pak fjalën e atyre.