Gjermania në alarm për Schlotterbeck, Nagelsmann konfirmon dëmtimin dhe flet për rotacionin në ekip

Gjermania vijon ecurinë e saj të fortë në Botërorin 2026, pasi pas fitores spektakolare 7-1 ndaj Kuraçaos në ndeshjen e parë dhe suksesit 2-1 kundër Bregut të Fildishtë, ka siguruar matematikisht kualifikimin për fazën e 1/16-ve. Megjithatë, atmosfera në kampin gjerman është shoqëruar me një shqetësim të madh për gjendjen e mbrojtësit Nico Schlotterbeck.

Trajneri Julian Nagelsmann ka konfirmuar se futbollisti i Borussia Dortmundit ka pësuar një dëmtim në ligamentin anësor të kyçit të këmbës, pas daljes së detyruar në pushimin e ndeshjes së fundit. Sipas tij, situata nuk është aspak e lehtë dhe lojtari do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

“Ka një dëmtim në ligamentin e kyçit të këmbës. Duhet të presim analizat, por për fat të keq nuk dukej aspak mirë. Megjithatë duhet t’i japim merita të mëdha për faktin që rezistoi deri në pushim, u dha plotësisht për ekipin”, u shpreh Nagelsmann, duke vlerësuar sakrificën e mbrojtësit.

Ndërkohë, trajneri gjerman u ndal edhe te forma e sulmuesit Deniz Undav, i cili po kalon një moment të shkëlqyer dhe po kërkon më shumë hapësira në formacionin bazë. “Mund të diskutohet gjithçka. Ka qasje të ndryshme. Pse duhet ta ndal momentin e tij të artë tani? Ai po luan në mënyrë shumë inteligjente”, tha Nagelsmann, duke lënë të hapur debatin për titullarët.

Me kalimin në fazën eliminatore tashmë të siguruar, Gjermania pritet të luajë ndeshjen e fundit të grupit ndaj Ekuadorit. Megjithatë, Nagelsmann ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë rotacion të madh, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ritmit garues. “Nuk mund të bëjmë llogari në futboll. Do të jetë ndoshta një përzierje mes menaxhimit të ngarkesës dhe ruajtjes së ritmit”, përfundoi ai.