'Shqipëria nuk është në shitje'/ Shqiptarët e Genovës në Itali sërish në protestë kundër Ramës

Shqiptarët që jetojnë në Genova të Italisë kanë organizuar një protestë në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke shprehur njëkohësisht mbështetjen e tyre për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.

Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe të ndryshme, pjesëmarrësit ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e qeverisjes, ndërsa kërkuan më shumë transparencë institucionale, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik.

Një nga mesazhet më të dukshme gjatë tubimit ishte pankarta me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, e cila simbolizon kundërshtimin ndaj politikave dhe vendimeve që ata i konsiderojnë në dëm të interesave kombëtare.

Pjesëmarrësit në protestë deklaruan se diaspora shqiptare po ndjek nga afër zhvillimet politike dhe shoqërore në vend, duke theksuar se do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë qytetare që synon forcimin e demokracisë, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e pasurive publike.