Legjenda e Milanit këshillon Amorimin: Leao duhet të shitet
Ish-ylli i Milanit, Dejan Savićević, ka bërë një analizë të ashpër për situatën te klubi kuqezi, duke i sugjeruar trajnerit Ruben Amorim që të shesë Rafael Leãon gjatë merkatos së verës.
Legjenda malazeze, që shkëlqeu me fanellën e Milanit në vitet ’90, u shpreh i zhgënjyer nga sezoni i fundit i kuqezinjve, të cilët mbetën jashtë Ligës së Kampionëve.
“Nuk e prisja që Milani të mbetej jashtë Champions-it. Në një moment të sezonit mendova se kualifikimi ishte i sigurt, por papritur e pashë skuadrën të rrëshqiste në renditje”, deklaroi Savićević.
Sipas tij, një nga gabimet më të mëdha të drejtuesve të Milanit ishte mosshitja e Leaos në momentin e duhur. Ish-mesfushori ofensiv nuk kurseu kritikat ndaj sulmuesit portugez.
“Nuk e kuptoj atë djalë. Thonë se është më i interesuar për muzikën sesa për futbollin, nuk e di nëse është e vërtetë. Unë do ta lija të largohej pa asnjë hezitim. Mendoj se do të ishte më mirë për të gjithë”, u shpreh ai për mediet italiane.
Savićević foli edhe për trajnerin Allegrin, duke theksuar se përgjegjësia për sezonin zhgënjyes nuk duhet t’i faturohet vetëm stolit.
“Për mua, fajin më të madh e kanë lojtarët dhe jo trajneri. Më vjen keq për Allegrin, sepse është një trajner i mirë dhe nuk e meritonte këtë fund sezoni”, tha ish-fituesi i Ligës së Kampionëve me Milanin.
Në fund, ai komentoi edhe zërat për emërimin e një drejtori të ri sportiv, duke ironizuar mundësinë që Milani të paguajë një shumë të madhe për të siguruar shërbimet e Markus Krosche.
“Ta paguash Kroschen? Hajde tani... nuk po flasim për Ancelottin”, përfundoi me ironi Savićević.
Deklaratat e ish-legjendës kuqezi pritet të ndezin debat në ambientin e Milanit, sidomos për të ardhmen e Rafael Leaos, i cili vazhdon të mbetet një nga emrat më të diskutuar të merkatos së verës.