Stuhia kërcënon ndeshjen Francë-Irak, parashikimet e motit nuk janë optimiste
Ndeshja mes Francës dhe Irakut, e vlefshme për raundin e dytë të fazës së grupeve të Botërorit 2026, rrezikon të ndikohet nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Përballja është planifikuar të zhvillohet të hënën në mbrëmje, në Filadelfia, por parashikimet meteorologjike kanë ngritur shqetësime serioze për organizatorët.
Sipas të dhënave të motit, në orën e zhvillimit të ndeshjes priten temperatura të larta, rreth 33 gradë Celsius, të shoqëruara me reshje shiu dhe stuhi me vetëtima. Pikërisht ky skenar ka qenë një nga shqetësimet kryesore të organizatorëve amerikanë që përpara nisjes së turneut.
Rregullorja e FIFA-s dhe autoriteteve lokale parashikon një protokoll shumë të rreptë sigurie, sipas të cilit çdo ndeshje duhet të ndërpritet menjëherë nëse regjistrohen vetëtima pranë stadiumit. Në rast se kushtet përkeqësohen, takimi mes Francës dhe Irakut mund të pezullohet përkohësisht një ose disa herë.
Një situatë e ngjashme u pa edhe gjatë Kupës së Botës për Klube në vitin 2025, gjithashtu në Shtetet e Bashkuara. Ndeshja e fazës së 1/8-ave mes Benfikës dhe Chelsea-t u ndërpre për afro dy orë për shkak të një stuhie të fortë. Për pasojë, takimi zgjati plot 4 orë e 38 minuta dhe përfundoi me fitoren 4-1 të londinezëve pas kohës shtesë.
Sa i përket aspektit sportiv, Franca e nisi Botërorin me fitore 3-1 ndaj Senegalit dhe synon të sigurojë kualifikimin në fazën tjetër. Ndërkohë, Iraku vjen pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Norvegjisë dhe ka nevojë për pikë për të mbajtur gjallë shpresat për vazhdimin e aventurës në turne.
Tashmë, përveç përballjes në fushë, vëmendja është përqendruar edhe te qielli mbi Filadelfia, ku moti mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj sfide të Botërorit.