Konfirmohet dëmtimi i Raphinha-s, ja sa pritet sa t'i mungojë Brazilit
Brazili ka marrë një goditje të rëndësishme gjatë Botërorit 2026, pasi është konfirmuar dëmtimi muskulor i sulmuesit Raphinha. Futbollisti i Barcelonës u lëndua gjatë fitores 3-0 të brazilianëve ndaj Haitit, ndeshje e zhvilluar të premten në Filadelfia.
Federata Braziliane e Futbollit (CBF) njoftoi se lojtari iu nënshtrua të shtunën ekzaminimeve mjekësore, të cilat konfirmuan një dëmtim muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Në deklaratën zyrtare nuk është bërë e ditur koha e rikthimit të tij në fushë, por është theksuar se Raphinha do të ndjekë një program intensiv trajtimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të kombëtares, me synimin që të rikuperohet sa më shpejt.
Sulmuesi ndjeu shqetësime pak çaste pas golit të dytë të Brazilit ndaj Haitit dhe u zëvendësua menjëherë nga Rayan. Gjatë trajtimit mjekësor, ai u shfaq i shqetësuar teksa bisedonte me mjekun e përfaqësueses, Rodrigo Lasmar, çka bëri që stafi teknik dhe mjekësor të vendoste për ekzaminime më të detajuara.
Raphinha konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Brazilit të drejtuar nga Carlo Ancelotti dhe një titullar i padiskutueshëm në repartin ofensiv. Megjithatë, sipas raportimeve, ai pritet të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Skocisë më 24 qershor.
Mungesa e tij mund t’u hapë rrugën futbollistëve të rinj si Rayan dhe Endrick, ky i fundit shumë i kërkuar nga tifozët brazilianë për të pasur më shumë minuta në këtë Botëror.