SYRI TV/ Protesta në Tiranë jehonë në mediat botërore, DW: Protesta masive kërkon dorëheqjen e Ramës

Protesta e së shtunës në Tiranë është pasqyruar gjerësisht nga mediat ndërkombëtare si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në Shqipëri në vitet e fundit, ku Deutsche Welle flet për kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, Financial Times për një lëvizje të zgjeruar kundër kryeministrit Rama, ndërsa Reuters, Euronews, The Guardian, Le Monde dhe El País theksojnë shndërrimin e protestës në një reagim të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës së qeverisjes.

Protesta e së shtunës në Tiranë ka zënë vend në faqet e mediave më të mëdha ndërkombëtare, të cilat e kanë përshkruar atë si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në Shqipëri në vitet e fundit.

“Shqipëria po mban protestën më masive kundër qeverisë në dekadat e fundit”, shkruan Deutsche Welle për protestën e 21-të radhazi në Tiranë, duke theksuar se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Mijëra qytetarë, me mbështetjen e diasporës, u mblodhën përpara Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kjo është protesta e 21-të që mbahet në Shqipëri”, shkruan DW.

Me titullin “Dhjetëra mijëra shqiptarë i bashkohen protestës së Revolucionit të Flamingove”, Financial Times shkruan se dhjetëra mijëra shqiptarë u mblodhën në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të botës, duke e cilësuar protestën si një demonstrim të rrallë uniteti kundër korrupsionit dhe politikave qeveritare.

Sipas gazetës britanike, lëvizja ka tejkaluar karakterin e saj fillestar dhe është shndërruar në një kërkesë më të gjerë për ndryshim politik.

Reuters vëren se mijëra protestues kanë mbushur bulevardet e Tiranës nën sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa pakënaqësia ndaj qeverisë është kthyer në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës.

Ndërkohë, Euronews thekson se protestat kanë hyrë në javën e tretë dhe se kërkesat e demonstruesve tashmë përfshijnë dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime të rëndësishme ligjore.

Në një tjetër raportim, Reuters sjell atmosferën nga sheshi me titullin “Jehon thirrja Revolucion”, ku theksohet se protestuesit brohorasin “Revolucion”, ndërsa shumë prej tyre deklarojnë se protesta lidhet me arsimin, shëndetësinë dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.

Edhe media të tjera evropiane, përfshirë The Guardian, kanë vënë në qendër sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, duke e paraqitur protestën si simbol të një reagimi qytetar kundër korrupsionit, klientelizmit dhe mënyrës së menaxhimit të pasurive publike.

Gazeta franceze Le Monde i kushton një artikull me titullin “Revolucioni i Flamingove në Shqipëri ngrihet kundër kryeministrit Edi Rama”, ku thekson se lëvizja qytetare është shndërruar në një protestë më të gjerë me kërkesa politike.

Ndërkohë, e përditshmja spanjolle El País vendos në qendër sloganet e qytetarëve dhe e paraqet mobilizimin si një reagim kundër mënyrës së qeverisjes, korrupsionit dhe shfrytëzimit të pasurive publike.

Kështu, protesta e 21-të radhazi në Tiranë nuk po ndiqet vetëm nga opinioni publik shqiptar, por po trajtohet gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare si një nga zhvillimet më të rëndësishme politike dhe qytetare në Shqipëri gjatë viteve të fundit.