Protestat, Nesho: Rama ka një arrogancë ekstreme i duket vetja i pagabueshëm, jetojmë në narkoshtet

Një sërë akuzash të rënda janë ngritur së fundmi ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me mënyrën e qeverisjes, manipulimin e proceseve zgjedhore dhe përpjekjet e dëshpëruara për të blerë influencë në arenën ndërkombëtare. Gjatë një interviste në edicionin e lajmeve të paradites në Syri tv me moderatorin Bled Marku ish-ambasadori Agim Nesho e cilësoi kreun e qeverisë si një lider me arrogancë ekstreme, i cili e trajton veten si një "timonier të pagabueshëm" dhe bën paralelizma absurdë me figura mitologjike si Odiseu, duke injoruar totalisht protestat dhe krizën sociale në vend.

Pavarësisht pakënaqësisë popullore, pushteti aktual akuzohet se mbahet në këmbë përmes një makinerie të mirëfilltë të partisë-shtet, përdorimit të administratës publike dhe blerjes së hapur të votave. Këto gjetje janë mbështetur edhe nga mungesa e urimeve zyrtare pas zgjedhjeve nga partnerë të rëndësishëm strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, si dhe nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, i cili konstatoi se gara elektorale ishte thellësisht e pabarabartë. Përfaqësues të Parlamentit Europian kanë deklaruar hapur se krimi i organizuar në Shqipëri nuk po lejon rotacionin politik.

Situata bëhet edhe më alarmante kur vihet në pikëpyetje vija ndarëse mes institucioneve shtetërore dhe interesave mafioze. Raportimet e mediave ndërkombëtare dhe atyre investigative vendase ngrënë dyshime të forta se Shqipëria po drejtohet si një narkoshtet. Për të sfumuar këtë realitet dhe për të garantuar mbijetesën politike, kryeministri po përdor vizitat e tij zyrtare, përfshirë ato në Francë, për të lobuar dhe blerë mbështetje ndërkombëtare, shpesh në këmbim të koncesioneve apo investimeve dyshimtë siç është rasti i parkut fotovoltaik të Karavastasë.

Agim Nesho: …Ai do iki si asnjë lider tjetër në historinë e Shqipërisë, do të ketë pasoja për një keqqeverisje ekstreme, por e shoqëruar kjo me mungesë transparence, me një prepotencë ekstreme, me një fyerje që i bën popullit. Dhe këtu kthehem prapë te ajo pyetja juaj, kur thatë që edhe dje mënyra e komunikimit ishte një mënyrë që Rama s'ka kuptuar asgjë dhe këtë nuk e bën nga mungesa e intelektit që ne i kemi thënë për zhvillimin e Shqipërisë, sepse nuk e ka dijen e caktuar për ta bërë. Ka ardhur si një lider misionar, të paktën kështu e ka portretizuar veten, por si i tillë po largohet me turp dhe i papranueshëm nga të gjithë shqiptarët. Edhe ajo që e ka mbajtur deri në fund, ne e kemi thënë edhe njëherë, ky person kundër interesave të Shqipërisë gjithmonë ka qenë një bisht i interesave të personave, të burokratëve të cilët kanë shfrytëzuar figurën e kompromentuar, ekstravagante, sharlatane të Ramës për të korrigjuar, promovuar politika të cilat nuk pranoheshin në Perëndim.

Po të shikosh edhe sot nga mënyra se si ai blen influencën politike, ka deklaruar që nesër, në kulmin e kësaj proteste, në kulmin kur gjithë shtypi botëror kërkon një zgjidhje nga vetë Rama që të iki sa më parë nga pushteti për të mos krijuar konflikte sociale, për të mos penguar Shqipërinë në rrugën e saj, të dëshiruar nga ky popull i vuajtur për t'u futur në Bashkimin Europian, ai blen influencë dhe vete në Francë që pritet me të ashtuquajturën agjendë në një vizitë zyrtare. Unë nuk mendoj që madhështia e Francës, roli që ka në Bashkimin Europian, mund të bëjë gabime të tilla, sidomos janë gafa të rënda diplomatike kur një person 'non grata' për vendin e tij, një person i urryer kur i ka dalë gjithë populli në shesh, mund të pritet dhe mund të diskutohet për marrëdhënie të tjera ...

Bled Marku: Po pse të mos shkojë ambasador, Rama në Francë, në Belgjikë, në Gjermani, kur ai thotë që Shqipëria është e jona thotë, e kemi ne Shqipërinë, na kanë votuar 83 mandate dhe pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, kryeministri i Shqipërisë e ka cilësuar veten, e ka bërë një paralelizëm në fakt edhe me Odiseun që lidhej tek anija për të mos u ndikuar nga këngët e sirenave dhe donte t'i dëgjonte, por mos të ndikonte. Pra, kryeministri ka lënë të kuptohet se pavarësisht se ka protesta, jo vetëm flamingot në bulevard, por edhe planeti të çohet në protestë, ai do vijojë të jetë kryeministër?

Agim Nesho: Sigurisht, kjo tregon atë arrogancën e tij, po na rikthen në perceptim maoist edhe udhëtimin e tij, domethënë si timonier i pagabueshëm. Ky kërkon të tregojë veten që është një lider që ka marrë një maxhorancë tepër të madhe nga votat e popullit, po kjo është një histori false. Vetë opozita në mënyrë tepër të maturuar dhe me fakte të provuara i tregoi komunitetit ndërkombëtar që zgjedhjet e 14 majit dhe jo vetëm këto, sepse ka patur një traditë përpara, janë një manipulim për të mbajtur pushtetin duke futur si makineri partinë shtet, përdorimin e administratës publike, blerjen e votave hapur, dhe të gjitha makinacionet e tjera. Rama duhet të themi nuk e ka legjitimitetin për këtë gjë, nuk ka marrë konfirmimin për zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Kjo jo vetëm nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it i cili tha që nuk ishin në të njëjtin nivel për arsye sepse nuk ishte ndeshje e barabartë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës në heshtje asnjëherë nuk e kanë përgëzuar për këto zgjedhje siç kanë bërë për dhjetëra e dhjetëra shtete të tjera në botë që ditën më pas për procese normale elektorale kanë përgëzuar dhe uruar udhëheqësin e ri të partive politike, të çdo krahu që ka qenë, për zgjedhje dhe duke nënkuptuar që ka legjitimitetin e zgjedhjeve dhe besimin e popullit. Këtë gjë Rama nuk e ka. Nuk e ka jo vetëm nga amerikanët, por nuk e ka nga gjermanët, deputeti i Parlamentit Europian që ishte dhe kryetari i komisionit parlamentar për zgjedhjet tha se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik.

Bled Marku: Krimi i organizuar do qeverinë tij, tha ai…

Agim Nesho: Do qeverinë e tij. Shtypi botëror gjithmonë ka thënë që ne në autokracitë e Ballkanit si në Shqipëri, në Serbi, nuk dallojmë dot se kush drejton, interesat e mafies apo interesat e qeverisë, apo interesat e ndërthurura të të dyja prej tyre.