Malaj mbështet denoncimin e Këlliçit: Kontrolli i mediave është kërcënim për demokracinë dhe tregun e lirë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar pas denoncimit të deputetit demokrat Belind Këlliçi lidhur me përqendrimin e tregut të mediave audiovizive në vend. Në një reagim publik, Malaj shprehet se mbështet plotësisht shqetësimin e ngritur nga Këlliçi, duke e cilësuar atë si një paralajmërim profesionalisht të argumentuar për një rrezik në rritje ndaj demokracisë, lirisë së medias dhe konkurrencës së ndershme në treg.

Reagimi i plotë i Arben Malajt:

"E mbështes plotësisht shqetësimin e Belindit jo se është opozitar, por sepse analiza e tij është një paralajmërim profesionalisht i argumentuar për një risk në rritje dhe kërcënues për një të ardhme jo demokratike.

Kjo skemë vret mediat e pavarura dhe joqeveritare.

Sipas raportimeve të disa mediave, kjo kompani ka abuzuar hapur me konkurrencën në tregun e birrës, duke goditur rëndë biznesin vendas.

Çdo sipërmarrje nga Kosova është e mirëpritur, por vetëm duke garantuar dhe respektuar tregun e lirë.

Nuk mund të pranohet që kompani të cilat përfitojnë nga 'favoret' ndërqeveritare, t’ua kthejnë nderin duke investuar para informale për të blerë apo goditur lirinë e medias.

Autoritetet rregullatore duhet të veprojnë pa humbur kohë!

Kontrolli i mediave – qoftë direkt apo indirekt – është prova më e pastër e rrezikut që i kanoset vendit nga babëzia e 'mbretit kryeministror' për pushtet absolut.

Përdorimi i financave të dyshimta për të kontrolluar gjithçka, përfshirë mediat që binden vetëm për përfitime tatimore të paligjshme, dëmton hapur ekonominë dhe të ardhmen tonë.

Ky është një trend i rrezikshëm i një lideri që kërkon kontroll absolut!"

Çfarë pati denoncuar Këlliçi:

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, denoncoi në emisionin “Task Force” në Syri TV atë që ai e cilësoi si një situatë monopoliste në tregun e transmetimeve digjitale në Shqipëri. Sipas tij, pas shitjes së 100% të aksioneve të platformës Tring te grupi “Devolli”, i cili zotëron edhe 60% të aksioneve të Digitalb, është krijuar një përqendrim i rrezikshëm i tregut.

Këlliçi deklaroi se ky grup biznesi kontrollon tashmë dy operatorët kryesorë të transmetimeve digjitale në vend, duke fituar sipas tij fuqinë për të përjashtuar në mënyrë të njëanshme televizione apo operatorë të tjerë nga platformat. 

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu Autoritetin e Konkurrencës, duke pretenduar se institucioni nuk ka ndërmarrë një hetim të thelluar mbi këtë çështje dhe nuk ka reaguar ndaj asaj që ai e konsideron një situatë të pastër monopoli.