Berberi i Brazilit zbulon prapaskenat: Vinicius vjen çdo tri ditë, Ancelotti është një njeri i veçantë

Në kampin e Kombëtares së Brazilit, përveç futbollistëve dhe trajnerëve, një rol të rëndësishëm e ka edhe Yuri Alexandre Santos, berberi zyrtar i “Seleçaos”, i cili i ka zbuluar disa detaje interesante nga përditshmëria e yjeve brazilianë gjatë Kupës së Botës.

Yuri, i cili është pjesë e stafit të Brazilit që nga Botërori i vitit 2022, tregoi se një nga klientët e tij më të rregullt është Vinicius Junior.

“Vinicius vjen tek unë çdo tri ditë. Qoftë për ndeshje apo aktivitete marketingu, ai dëshiron që flokët e tij të jenë gjithmonë perfektë. Është jashtëzakonisht i kujdesshëm për pamjen e tij”, zbuloi berberi brazilian.

Ai foli me admirim edhe për trajnerin e Brazilit, Carlo Ancelotti, me të cilin e ka krijuar një raport të veçantë.

“Takimi ynë i parë ishte në shtator të vitit 2025. Që nga ajo ditë, ai i pret flokët vetëm tek unë. E kam njohur një njeri të jashtëzakonshëm. Bisedojmë jo vetëm për futbollin, por edhe për jetën. Shpresoj që kjo miqësi të zgjasë përgjithmonë”, tha Yuri.

Sipas tij, trajneri italian nuk e harron kurrë vendlindjen.

“Sa herë që takohemi, në sfond dëgjohen këngë italiane. Ancelotti e pëlqen shumë këtë muzikë dhe kjo e krijon gjithmonë një atmosferë të veçantë”, shtoi ai.

Parukieri zbuloi gjithashtu se Vinicius tallet shpesh me Ancelottin, duke bërë shaka se trajneri ia ka “vjedhur” berberin personal.

Ndërkohë, për Neymarin, Yuri kishte vetëm fjalë të mëdha.

“Ai ka qenë gjithmonë idhulli im më i madh. Për mua është një nder i jashtëzakonshëm të punoj me të dhe mezi pres ta shoh në fushë”, u shpreh ai.

Historia e Yuri Alexandre Santos është një shembull frymëzues.

Nga një djalë që askush nuk e njihte, ai është shndërruar në njeriun që kujdeset për imazhin e yjeve më të mëdhenj të Brazilit, ndërsa tani ëndërron ta mbyllë këtë aventurë me trofeun e Kupës së Botës në duart e “Seleçaos”.