Vrasje në Rrogozhinë, 60 vjeçari goditet me thikë nga fqinj 25 vjeç

Një 60 vjeçar humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga fqinji i tij 25 vjeç. Mësohet se 60 vjeçari u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa I riu u dëmtua lehtë në dorë. Vrasja ndodhi rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë.

Policia arrestoi Meklan Meçen, ndërsa viktima është Rrapush Memolla.

Rrogozhinë

Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit ku u përdorën mjete prerëse, plagosi një 60-vjeçar, i cili më pas humbi jetën.

Rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.