Iu bashkua protestës qytetare, deputetja Koçeku që iku nga Rama u përgjigjet gazetarëve
Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si ‘Neomalësorja’, iu bashkua këtë të shtunë protestës qytetare para Kryeministrisë, pak ditë pas largimit të saj të fundit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Prania e Koçekut në ditën e 21-të të protestës u vu re mes protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
E rrethuar nga gazetarët, deputetja nuk pranoi të japë detaje mbi arsyet e pjesëmarrjes së saj në tubim apo të komentojë zhvillimet e fundit politike.
‘E kam mendjen te protesta. Ta lëmë vëmendjen te protesta. Do prononcohem në një moment të dytë’, u shpreh shkurt Koçeku.
Protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 21-të dhe këtë fundjavë është karakterizuar nga pjesëmarrja e shtuar e qytetarëve dhe e shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët kanë marrë një rol të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e tubimit.