'Rama, deri nesër jep dorëheqjen', emigranti: Nëse nuk respekton protestën paqësore, na detyron ta përshkallëzojmë

Me mijra qytetarë nga diaspora kanë zbritur në shesh për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke e cilësuar atë si një lider autoritar që i ngjan Vladimir Putinit dhe Aleksandër Lukashenkos. Përfaqësues të mërgatës shqiptare nga Londra, Parisi, Berlini, Roma dhe vende të tjera europiane, kanë marshuar me një thirrje të qartë për dorëheqjen e Ramës.

Gjatë fjalës së mbajtur me megafon para një turme entuziaste që brohoriste për revolucion, një nga përfaqësuesit e diasporës theksoi se data 21 qershor 2026 do ta gjejë Shqipërinë pa kryeministrin aktual në krye të qeverisë. Protestuesit i bënë thirrje kreut të ekzekutivit të reflektojë mbi transformimin e tij nga një disident liberal në një autokrat, duke i kërkuar dorëheqjen përpara datës së përcaktuar.

Në përfundim, përfaqësuesi i diasporës shprehën gatishmërinë e tyre të jashtëzakonshme për të vazhduar qëndresën, duke theksuar se kjo nuk është thjesht një protestë rutinë, por një marshim i pandalshëm për të hapur dhe demokratizuar përfundimisht atdheun.

Protestuesi: Motra, motra dhe vëllezër! Le ta bëjmë të qartë këtë baner, se ky është baner që Edi Rama tashmë e ka bërë fakt. Është hera e parë gjatë 33 viteve që e dimë me fakte, data 21 qershor, viti 2026, do të jetë Shqipëria pa Edi Ramën kryeministër!

Edi Rama, ti erdhe këtu nga Parisi, unë me mërgatën vijmë nga Londra, nga Berlini, nga Vjena, nga Roma, nga Milanoja, nga Parisi, nga Spanja, nga Suedia e të gjitha me radhë. Dhe të sfidojmë ty, se ti erdhe këtu si një rebel, e një disident liberal. Erdhe si një njeri që premtove revolucion. Erdhe si një njeri që premtove se do sjellësh ndryshim. E ne tashmë të sfidojmë ty, sepse ti ke rrëshqitur nga një njeri liberal, në një njeri autoritar, autokrat. Ti sot i ngjan më shumë Putinit e Lukashenkos! Ndaj data 21 është data e fundit dhe ti jep dorëheqjen!

Ne në mënyrë paqësore, dhe me mirësjellje, edukatës së vendeve respektive që ne kemi adoptuar, të kërkojmë në mënyrë paqësore: jep dorëheqjen! Sepse vetë banderola thotë, nëse një qytetar, një kryeministër, nuk e respekton një protestë të paqme, atëherë ti na detyron që ta përshkallëzojmë protestën tonë! Ndaj jep dorëheqjen!

Edi Rama, të kërkoj të reflektosh. Sonte kur shkosh të flesh, bëj një udhëtim në retrospektivë, të vetes tënde. Ku ishe, kush ishe, dhe si je transformuar. Ndaj jep dorëheqjen më para datës 21!

Kjo protestë është çfarë nuk kemi parë në 36 vite. Se në 36 vite kemi parë parti politike që protestojnë për të përmbysur një regjim edhe për të sjellë një regjim tjetër. Kjo është një lëvizje qytetare, kjo është një lëvizje e mirëfilltë qytetare, që nuk kërkon vetëm me përmbys një regjim, por kërkon me përmbys status-quo'në e partisë së 36 viteve që na mban peng!