Casemiro i thotë lamtumirë Europës, gati të bashkohet me Messin tek Inter Miami

Një tjetër yll i madh i futbollit botëror pritet të transferohet në MLS.

Mesfushori brazilian Casemiro është shumë pranë zyrtarizimit si lojtar i Inter Miamit, me marrëveshjen mes palëve që raportohet të jetë arritur.

Futbollisti 34-vjeçar do t’i bashkohet skuadrës ku aktivizohet edhe Lionel Messi, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij pas shumë vitesh në futbollin europian.

Tashmë mbetet vetëm njoftimi zyrtar për të vulosur kalimin e brazilianit në Florida.

Casemiro vjen pas një sezoni mjaft pozitiv me Manchester United.

Me fanellën e “Djajve të Kuq”, ai zhvilloi 34 ndeshje në Premier Ligë dhe realizoi nëntë gola, shifra që përbëjnë rekordin e tij personal të golave në një kampionat elitar.

I njohur për forcën fizike, inteligjencën taktike dhe eksperiencën e madhe në nivelin më të lartë, Casemiro pritet t’i japë më shumë cilësi mesfushës së Inter Miamit, skuadër që synon të vazhdojë të forcohet me emra të mëdhenj.

Braziliani do të transferohet si lojtar i lirë, duke i dhënë fund aventurës së tij në Angli dhe duke iu bashkuar projektit ambicioz të klubit amerikan, ku do të luajë përkrah yjeve si Lionel Messi.