Rama - 'Fuori Gioco'

Pasi bëri armik plot e plot kosovarë, maqedonas, iranianë e disa media me CNN në krye sot ia plasi një zbulumi tjetër. Të ri. Organizator i protestave është algoritmi.

E shqiptoi me solemnitet, me seriozitet, thuajse kishte zbuluar penicilinën.

Pika n’dë bythë, tallen devollinjtë në raste të tilla. E si për gallatë më erdhi ndër mend një kampionat evropian që e dëgjonim në Korçë, por italisht. E dëgjonim në radio se s’kishim tv ato mote që ta shihnim.

Në mbrëmje te bashta e “Lëndinës së lotëve” komentonim. Me zjarr, me duar e me këmbë. Nga që s’kishim haber të gjuhës së huaj shumë fitore ia dedikonim “fuori giocos”.

Se komentatorët e përdornin shpesh këtë fjalë dhe ne u bindëm se ky qenkej lojtar në fushë. Më vonë qeshnim. E mësuam që shqip përkthehej “jashtë loje”, “ofsajt” dmth.

Rama dje na ktheu në ato vite. Po nuk thotë “fuori gioco” tani. Thotë “algoritëm”. Do të na mbushë mendjen që ai është lojtari kryesor i protestave. Ai po ia bëka golin pra. Në fakt Rama po humbet përditë nga autogolat që ka bërë e bën. Ka mjeshtëri për to. Mos ia hamë hakun. E 83 kukllat e tij heshtin. Janë “fori gioco” të gjithë, si grup.