‘Kryeministri ka humbur lidhjen me realitetin’. Kalaja: Rama i ka punët keq, është në panik nga protestat
Vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë ditët e fundit duket se ka tronditur thellë themelet e qeverisë. Kolona të jashtëzakonshme automjetesh dhe qytetarësh kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit, duke ngritur zërin kundër varfërisë dhe pabarazisë së thellë që po shkatërron shtresën e mesme dhe po detyron profesionistët të zbresin në sheshe.
Situata e ditëve të fundit përshkruhet si një moment tejet delikat për pushtetin. Gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja tha në një intervistë në Syri tv me moderatoren Eneida Ndoci se kreu i qeverisë ka humbur tërësisht lidhjen me realitetin. I rrethuar nga individë servilë që i ushqejnë iluzionin e një vendi të lulëzuar, kryeministri raportohet se shmang përballjen me qytetarët, duke u larguar nga zyra sa herë që shpërthen revolta në rrugë, pasi e ka të pamundur të përballojë thirrjet për dorëheqje.
Fjalimi i tij i fundit u konsiderua gjerësisht si paranojak dhe i shkëputur nga e vërteta. Përdorimi i krahasimeve absurde me algoritme apo flamingo ndaj protestuesve, interpretohet si një mungesë e theksuar kurajoje për të parë në sy krizën aktuale. Dinamiken aktuale politike kreu i PD Krujë Aulon Kalaja, e krahasoi me ngjarjet e fillimviteve '90, një formë "déjà vu"-je tragjikomike ku pushteti po kopjon dëshpërimisht taktikat e vjetra të regjimit, duke u përpjekur të mbajë rreth vetes figura të diskredituara.
Eneida Ndoci: jemi me gazetarin dhe aktivistin Aulon Kalaja në një komunikim të drejtpërdrejtë. Ju i keni ndjekur nga afër protestat, keni qenë pjesë e saj përgjatë këtyre ditëve. Konkretisht do të doja të të pyes pak në lidhje me mënyrën se si e ke parë dhe si e ke lexuar ti qëndrimin e kryeministrit Rama ditën e sotme, duke marrë parasysh pamjet që jemi duke përcjellë prej më shumë se dy orësh tashmë për marshimin dhe kolonën e jashtëzakonshme që ka pushtuar rrugët e Shqipërisë, kryeqytetit konkretisht tashmë pasi kanë zbarkuar deri në Tiranë.
Aulon Kalaja: Kam qenë në protestë, kemi organizuar njerëz në protestë, kam qenë pjesë e protestës që ka ndodhur në qytetin e Fushë-Krujës dhe do jemi pjesë e të gjithë protestave që po ndodhin në vend sepse janë protesta absolutisht të jashtëzakonshme të cilat Shqipëria po i përjeton në një moment shumë delikat të saj. Ajo që doja të thoja unë është që kryeministri ka humbur lidhjen me realitetin. I duket gjithçka inteligjencë artificiale. Me sa duket ka një tufë servilësh që e kanë rrethuar tashmë dhe ata e gënjejnë. Ai nuk i sheh dot protestuesit, ka një mani që kur ka protesta nuk qëndron dot në zyrë sepse nuk e përballon dot protestën.
Është ai lloj njeriu që nuk e përballon dot thirrjen e shqiptarëve të cilët i kërkojnë largimin pasi kryeministrat përgjithësisht në mandatet e treta, po edhe në mandatet e katërta që është akoma më keq, kthehen në përbindësha, nuk mund ta pranojë dot këtë realitet. Dhe ai largohet nga zyra, rrethohet nga njerëz të cilët i tregojnë që Shqipëria është duke u lulëzuar dhe ka kontakt me tre-katër mijë njerëz besoj në Shqipëri që i kanë punët e mirë, sepse pjesa tjetër e popullatës sigurisht që po lëngon çdo ditë nga varfëria dhe nga ekstremitetet që po ndodhin, sepse ka një shkëputje shumë të madhe midis atyre që janë shumë të pasur dhe atyre që janë shumë të varfër. Pra po vdes shtresa e mesme, po vdes në mënyrë artificiale sepse ata janë në shesh tashmë. Të gjithë profesionistët e lirë kanë zbritur në shesh dhe leximi që i ka bërë sot kryeministri ka qenë një lexim duhet thënë shumë i tmerrshëm i një proteste të jashtëzakonshme që ka tronditur dhe ka rrëmbyer faktikisht zemrat e shqiptarëve. T'i krahasosh njerëzit me algoritme, t'i krahasosh njerëzit me kremra, t'i krahasosh njerëzit me flamingo, t'i krahasosh njerëzit me mimikat e tij të cilat duhet thënë janë totalisht të pavenda në këto momente që flasim, tregon që ti nuk ke kurajo për ta lexuar protestën dhe për ta parë atë thirrje të qytetarëve në sy. Mendoj që është njeri i cili është në grahmat e fundit, meqë jemi afër datës dy korrik dhe ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur këtu e tridhjetë e ca vite të shkuara, pra e gjithë ajo ngritja e qytetarëve shqiptarë për të shkuar drejt ambasadave dhe për ta shkelmuar atë regjimin e vjetër, mua më duket një déjà -vu, historia përsëritet, po këtë rast në formën e një tragjikomedie ku aktor është ky personazh vetë tashmë, që më përpara me sa duket kërkonte atë thirrjen e famshme liri-demokraci, por tani është duke e konsumuar vetë dramën. Që do të thotë është një njeri që po kopjon Ramiz Alinë. Kur në Shqipëri po lindte procesi pluralizmit politik apo demokratik, ai thërriste antimitingje, thërriste njerëz, rrethohej nga servilë të tjerë e të tjerë, nga njerëz të cilët ishin të diskredituar nga historia.
Tani me sa duket po ndodh e njëjta gjë me kryeministrin Rama. Ka mbledhur rreth vetes disa servilë dhe sot ju mbante fjalime triumfatore atyre deputetëve të cilët edhe ata do t'i ikin, siç kanë filluar të rrjedhin disa deputetë nga forca e Partisë Socialiste. Ai ka pasur sot një fjalim totalisht paranojak, të krahasueshëm me fjalimin që i tha jo armëve kimike në vitin 2013. Pra, nuk dua të hyj në psikikën e tij sepse nuk jam psikoanalist, por me çfarë lexova nga gjestikulacioni sot dhe mënyrën se si merrte frymë, mendoj që i ka punët shumë keq. Por sa më keq t'i ketë ai punët, aq më mirë i ka punët Shqipëria…