Përplasen trenat në Londër/ Një viktimë dhe disa të plagosur nga aksidenti hekurudhor

Një makinist treni ka vdekur dhe 89 persona janë plagosur pasi dy trena u përplasën në zonën e Bedford në Mbretërinë e Bashkuar.

Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në jug të Bedfordit, kur një tren i kompanisë East Midlands Railëay, që udhëtonte nga Corby drejt Londrës, u përplas me një tjetër tren të së njëjtës kompani që po lëvizte nga Nottingham drejt kryeqytetit britanik. Sipas autoriteteve, drejtuesi i trenit që goditi nga pas mjetin tjetër humbi jetën në vendngjarje.

Shërbimet e emergjencës raportuan se 89 persona mbetën të plagosur. Prej tyre, 11 pësuan lëndime shumë të rënda, 22 të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa 56 morën plagë më të lehta. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan dhjetëra ambulanca, ekipe zjarrfikëse dhe helikopterë mjekësorë.

Autoritetet britanike kanë nisur një hetim të gjerë për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Hetuesit po analizojnë të dhënat teknike dhe sistemet e sinjalizimit, ndërsa shkaku i saktë i përplasjes mbetet ende i paqartë.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe zyrtarë të tjerë të lartë shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës dhe falënderuan ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë. Ndërkohë, trafiku hekurudhor në linjën drejt Londrës u ndërpre për disa orë, duke shkaktuar vonesa dhe anulime të shumta.