Algoritmi që po ha monstrën e tij
Fjala e Ramës në grupin parlamentar të Partisë Socialiste evidentoi sot përpjekjet e fundit të një diktatori të urryer që populli kërkon ta flakë. Ai u ngrit kundër popullit të tij duke e portretizuar veten si Odisenë e lidhur që do t’ju qëndrojë zhurmave që vijnë nga sirenat.
Lideri global, që po sulmohet nga hijet, pasionet, zhurmat e askushëve në rrjetet sociale të nxitura nga algoritma dhe të fuqizuar nga influencierë të promovimit të kremrave. Ai sulmoi sot rrjetet sociale si të vetmin instrument që shteti i kapur prej tij nuk mund ta kontrollojë dot. Ai u ngrit sot kundër lirisë së shprehjes së mendimit në rrjetet sociale si një diktator që kontrollon mediet, kontrollon mesazhin, ka krijuar një botë virtuale me mjetet propagandistike për një Shqipëri të suksesit duke mbytur realitetin e errët të emigrimit masiv të të rinjve shqiptarë të pashpresë në botë, të vjedhjeve dhe shpërdorimit masiv të pronave dhe pasurive publike, të një narko-shteti ku interesat e krimit bashkohen me interesat e qeverisë.
Pavarësisht mangësive ulëritëse në formim, aventurier nga prirjet dhe i dashuruar vetëm me formën dhe jo përmbajtjen, Rama u përpoq të ishte në avantgardë të teknologjisë së re. Ai ishte i pari që foli për rëndësinë e rrjeteve sociale duke detyruar me zor dhe matur punën e Qeverisë me ‘liket’ që administrata publike duhet ti bënte punës së qeverisë; u entuziazmua nga inteligjenca artificiale dhe krijoi të parën ministre – Diellën – për të ndihmuar në luftën kundër “korrupsionit”. Jo vetëm kaq, por Diella qeveritare do të lindte edhe 83 Diella bij e bija, që do të zëvendësonin delet e mazhorancës si përfaqësues të popullit. Ai kërkoi që mendimin e lirë ta kontrollonte, ta instrumentalizonte kur i duhej, të instalonte teknologjinë e “smart city” për të policuar qytetarët dhe mbajtur të shtypur nën regjimin e tij.
Kjo monstër kishte krijuar algoritmin e tij se si të krijonte një diktator të ri për të mbajtur në pushtet regjimin e tij të korruptuar, hajdutërinë e shfrenuar dhe krimin si zot të Shqipërisë.
Zëri i lirë i shqiptarëve të ngritur kundër një regjimi të qelbur nuk mund të amplifikohej me algoritma në qoftë se faktet nuk ishin të vërteta. Algoritmat mund të funksionojnë vetëm për politikanë aventurierë të dashuruar me veten, që më lëvizjet e tyre qesharake dhe pa bosht kërkojnë të bëhen pjesë e politikës botërore. Ky algoritëm çmendet kur investimet e krimit të organizuar, të kazinove të Sinaloas shpallen si investime të huaja në interes të mirëqenies së popullit. Ky lloj kapitalizmi që po ndërton zoti Rama është një kapitalizëm sharlatan me skema dhe veprime të errëta, kompani guaska dhe përfitues të fshehur.
Prandaj populli është ngritur dhe kërkon largimin tënd dhe shporrjen e këtij regjimi. Ti guxon të marrësh nëpër gojë Fatos Lubonjën, një intelektual me përmasa ndërkombëtare, sepse ndjehesh inferior ndaj dijes dhe guximit të tij, qëndresës që ju ka bërë diktaturave më të egra.
Ti sot po ndjen fundin tënd se në “atë shesh virtual”, që nuk prodhohet nga algoritmi, janë mbledhur rinia Shqiptare, opozita e vendit, njerëzit e ndershëm dhe të vendosur për të qenë të lirë deri në fundin tënd.
Është koha e revolucionit, është koha kur algorimi po ha monstrën e tij.