Trump i kundërpërgjigjet Melonit: Na refuzoi për Iranin, tani kërkon foto për vota
Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e akuzuar për mungesë bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në çështjen e Iranit dhe për përpjekje për të përfituar politikisht nga afrimi me Uashingtonin.
Trump pretendon se gjatë samitit të G7, Meloni kishte kërkuar vazhdimisht të fotografohej me të, me qëllim për të përmirësuar pozitat e saj në sondazhe.
“Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, më kërkoi vazhdimisht të bënim një foto së bashku gjatë takimit të G7. Ajo po ecën keq në Itali për sa i përket popullaritetit të saj, ndoshta sepse refuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një vend që e do dhe e mbron vërtet Italinë – kur erdhi puna për të penguar Iranin të sigurojë ose të zhvillojë një armë bërthamore”, shkruan Trump.
Presidenti amerikan e akuzon më tej qeverinë italiane se nuk lejoi përdorimin e pistave dhe korridoreve të uljes në Itali, duke krijuar sipas tij pengesa logjistike për operacionet amerikane.
“Ajo madje nuk na lejoi të përdornim pistat ose korridoret e uljes në Itali, duke krijuar një pengesë të madhe logjistike, dhe kjo pavarësisht faktit se SHBA-ja kontribuon me qindra miliarda dollarë në vit për të mbrojtur Italinë dhe aleatë të tjerë të NATO-s”, vijon Trump.
Në fund të postimit, ai pretendon se pas veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit, Meloni po përpiqet të rifitojë afërsinë me Uashingtonin për arsye politike.
“Tani, pasi Shtetet e Bashkuara e mposhtën ushtarakisht Iranin, ajo dëshiron të jetë sërish mike me ne për të rritur shifrat e saj në sondazhe. Jo, faleminderit!”, përfundon Trump.