Berisha: Propaganda synon të relativizojë krimet e Ramës dhe të barazojë të pabarabartën me qeverisjen e Sali Berishës
Kryetari i PD, Sali Berisha shprehet se propaganda synon të relativizojë krimet e Ramës dhe të barazojë të pabarabartën me qeverisjen e demokratëve.
Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se Rama duhet të tregojë se ku janë 12 miliardë euro të buxhetit të shtetit dhe se ku i ka investuar ato.
‘Edi Rama ka dhuruar miliona e miliona metër katrorë truall dhe dhjetëra e miliona sipërfaqe ndërtimi, vila luksoze për qeveritarët dhe biznesmenët e tij, resorte turistike me para droge’, theksoi kryedemokrati.
Bashkëbisedimi:
Silvja Andoni: Doktor, me sa duket nga propaganda e qeverisë po shtyhet gjithnjë e më shumë ideja se PS-ja dhe PD-ja janë bashkë. Diçka që duket e çuditshme kur ju keni denoncuar i pari aferat më të mëdha korruptive të Ramës. Si e shpjegoni këtë për qytetarët që shpesh bien pre e propagandës qeveritare ose e patericave të qeverisë?
Sali Berisha: Mendoj se kjo propagandë ka vetëm një qëllim. Qëllim shumë të ulët. Qëllim të mirëfilltë antidemokratik, antishqiptar.
Të krahasojë të pakrahasueshmet. Për të relativizuar krimet e mëdha të Edi Ramës. Për të relativizuar vjedhjet e 99% të 12 miliardë eurove paratë e buxhetit të shtetit në tendera, prokurime.
Për të relativizuar, le të na thonë pak, hajde të marrim krahasimin.
Me 12 miliardë, shihni çfarë është ndërtuar në Shqipëri. E ato 17 rrugë që u ndërtuan u shembën njëra pas tjetrës.
Merrni pak sa është ndërtuar me 3.8 miliardë gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike. Është ndërtuar në kilometra, 11 herë më shumë.
Janë ndërtuar në cilësi, nuk ka lëvizur asnjë prej tyre.
Në vitin 2013 kur u largua Partia Demokratike nga pushteti, çdo shqiptar dhe çdo pensionist merrte një rrogë apo një pension më të lartë se të gjithë rrogëtarët dhe pensionistët në vendet e rajonit përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë, vende anëtare të Bashkimit Europian.
Krahasoni pak ku janë sot, kanë zbritur të fundit.
Sali Berisha me këtë dorë nuk ka firmosur kurrë ndërtimin e asnjë vile, asnjë shtëpie, për asnjë zyrtar, për asnjë oligark dhe për askënd.
Edi Rama ka dhuruar miliona e miliona metër katrorë truall dhe dhjetëra e miliona sipërfaqe ndërtimi, vila luksoze për qeveritarët dhe biznesmenët e tij. Resorte turistike me para droge.
Pra, le t'i marrim pak t'i krahasojmë, por sot për sot e rëndësishme që kërkesat e opozitës, sepse është opozitë, dhe ajo është opozitë pa diskutim.
Po kërkesat e opozitës që janë sot edhe kërkesat e Partisë Demokratike të realizohen sa më parë.