Berisha: Sot po vërshojnë nga të 4 anët e dheut drejt Tiranës, në protestën shpëtimtare për Shqipërinë
Një protestë shpëtimtare e ka cilësuar lideri demokrat Sali Berisha, vërshimin e diasporës shqiptare në Tiranë.
Duke folur me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se shqiptarët kanë lënë gjithçka jashtë, për të qenë të pranishëm në protestën kombëtare në Tiranë.
‘Partia Demokratike ka të gjithë vizionin, të gjithë potencialet, dhe po bën çdo përpjekje dhe do bëjë që shqiptarët të votojnë të lirë’, tha Berisha.
Bashkëbisedimi:
Muharrem Kurti: Përshëndetje doktor Berisha, sot në protestë kombëtare kanë ardhur edhe shumë nga diaspora. Parashikimi juaj për fatin e Ramziut dhe të qeverisë së tij, e para. Dhe e dyta, elektorati i djathtë pret prej jush qeverinë në hije.
Sali Berisha: E vërtetë, Muharrem. Ka një vërshim të jashtëzakonshëm, të paparë dhe të paprecedent drejt Tiranës.
Zoti i bekoftë të gjithë ata që lënë çdo gjë dhe vërshojnë sot nga të katër anët e dheut dhe të katër anët e Shqipërisë, të gjithë shqiptarët kudo që janë, drejt Tiranës dhe kësaj proteste shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Natyrisht, ne e ndjekim me shumë vëmendje. Partia Demokratike ka të gjithë vizionin, të gjithë potencialet, dhe po bën çdo përpjekje dhe do bëjë që shqiptarët të votojnë të lirë.
Dhe do jenë vota e lirë e shqiptarëve që do përcaktojë qeverinë e ardhshme të këtij vendi. Faleminderit.